POLITIKA

Grasso: NATO kurrë s’do ta lejojë kthimin e ushtrisë serbe në Kosovë

Aleksandar Vuçiq ka thënë se do t’i kërkojnë KFOR-it dislokimin e një numri të ushtarëve dhe policëve serbë në Kosovë, bazuar në rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

Por, ish-zëdhënësi i KFOR-it, Vincenzo Grasso, deklaroi se kthimin e ushtarëve serbë s’do ta lejojë kurrë NATO-ja.

“Sipas rezolutës 1244, personeli serb mund të lejohet që t’i kryejë vetëm katër detyra (funksione). Asnjë nga këto pika nuk është në përputhje me situatën dhe qëllimet e Aleksandar Vuçiq. Ai e di mirë që NATO dhe KFOR-i nuk do ta lejojë kurrë këtë”, tha Grasso.

Ai publikoi edhe pjesë nga rezoluta dhe funksionet që ushtria serbe do të mund t’i kryente.

“Pas tërheqjes në numër i personelit jugosllav dhe serb do të lejohet të kthehet për t’i kryer funksionet e mëposhtme: Ndërlidhja me misionin civil ndërkombëtar dhe praninë ndërkombëtare të sigurisë; Shënimi/pastrimi i fushave të minuara; Mbajtja e një pranie në vendet e trashëgimisë; Mbajtja e pranisë në pikat kyçe kufitare”, shkruan në dokument.

Që nga e hëna e kaluar në veriun e vendit ka pasur shpërthime nga granatat, “shok bombat”, por edhe përdorim të armëve të zjarrit nga ana e serbëve në Mitrovicën e Veriut dhe Zubin Potok.

Aty u penguan zyrtarët e Komisioneve Komunale Zgjedhore që të dilnin dhe të nisnin përgatitjet për zgjedhjet që pritej të mbaheshin më 18 dhjetor por që u shtynë për shkak të tensioneve atje.

Të enjten, para mesnatës në Zveçan u plagos edhe një pjesëtar i policisë nga grupet kriminale në veri.

Derisa të shtunën u vendosen edhe barrikadat në pjesët që çojnë tek pikat kufitare në Bërnjak dhe Jarinje.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *