“Ky gjyq ish dashtë t’formohet për Serbinë!” – ja çfarë thoshte Adem Demaçi për Gjykatën Speciale
Në një intervistë për Zërin e Amerikës, në prill të vitit 2014, Adem Demaçi kishte shprehur hapur kundërshtimin e tij ndaj mënyrës se si po trajtohej çështja e krijimit të Gjykatës Speciale për Kosovën.
Intervista u zhvillua në një kohë kur diplomatët perëndimorë po diskutonin me përfaqësuesit politikë të Kosovës për krijimin e një gjykate të posaçme, lidhur me pretendimet e ngritura në raportin e Këshillit të Evropës për ish-drejtues të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Demaçi shprehte dyshime të forta për këtë proces dhe kritikonte qasjen e faktorit ndërkombëtar ndaj Kosovës.
“Krejt kësaj, diqysh, nuk po i vjen era bash mirë!”, shprehej Demaçi, duke thënë se sipas tij miqtë evropianë dhe amerikanë nuk po e kuptonin gjendjen dhe reagimin e shoqërisë kosovare ndaj kësaj çështjeje.
Ai vinte në pikëpyetje edhe pretendimet e raportit të Dick Martyt, duke ngritur pyetje se nga ishin siguruar informacionet e përdorura në raport.
Demaçi kundërshtonte gjithashtu argumentin se Gjykata do të merrej vetëm me individë dhe jo me UÇK-në si organizatë. Sipas tij, dënimi i disa prej komandantëve mund të çonte në një përgjithësim të përgjegjësisë ndaj UÇK-së dhe shqiptarëve.
Por deklarata e tij më e drejtpërdrejtë ishte ajo për përgjegjësinë e Serbisë për krimet e luftës:
“Ky farë gjyqi. Krejt qato faje i takojnë Serbisë. Krejt Serbia i ka bo qato t’zeza. Edhe ma shumë se qato t’zeza… Ky gjyq ish dashtë t’formohet për Serbinë!”
Demaçi kritikonte edhe mënyrën se si institucionet e Kosovës po përballeshin me presionin ndërkombëtar. Në një material përkujtimor të vitit 2018, vetë Zëri i Amerikës e përshkruan atë si kritik të hapur ndaj zhvillimeve që lidhen me Gjykatën e Posaçme, qasjen e institucioneve të Kosovës dhe dialogun me Serbinë./INA/
