POLITIKATË FUNDIT

Djalit të Talat Xhaferit mund t’i merret certifikata e provimit të jurisprudencës

Diplomë, student, universitet

Persona të cilët në mënyrë të kundërligjshme kanë dhënë provimin e jurisprudencës, me gjasë ushtrojnë profesionin e gjykatësve dhe prokurorëve publik por zhdukja e dokumenteve nga dikasteri i Drejtësisë si dhe zbulimi i këtij fenomeni vonë, vështirëson procesin e zbulimit të emrave të tyre. Kështu vlerësojnë nga Komisioni antikorrupsion duke mos përjashtuar mundësinë ligjore që djalit të kryeparlamentarit Talat Xhaferi, Barlet Xhaferi, t’i merret certifikata e provimit të jurisprudencës. Megjithatë, këto veprime do të pasojnë pas hetimeve për të gjithë gjykatësit dhe prokurorët publik që momentalisht e kryejnë këtë funksion, shkruan Alsat.

“Ligji lejon një mundësi të tillë, megjithatë kthehet mbrapsht 5 vite, këtu kemi më shumë vite, gjegjësisht 7 vite. Megjithatë, përsëri e them, në qoftë se vërtetojmë këtë fenomen në më shumë gjykatës apo prokurorë publik të cilët momentalisht e kryejnë këtë funksion, atëherë mbase në një nivel tjetër do të duhet të vendoset se çfarë do bëhet”, tha Biljana Ivanovska, kryetare e Komisionit për Antikorrupsion.

Alsat dje siguroi një dokument që vërteton se një prej provimeve të jurisprudencës, Barlet Xhaferi e kishte dhënë në kohën kur ministër ka qenë Adnan Jashari. Por ngelet e paqartë se në kohën e cilit ministër i është dhënë drita e gjelbër Barlet Xhaferit për të hyrë në provimin e jurisprudencës, pa qenë i pajisur me 300 kreditë e nevojshme.

“Këtë informacion nuk e dinte as vetë Barlet Xhaferi të na thotë kur e thirrëm këtu, nuk i kujtohej saktë se kur i ka dorëzuar dokumentet për këtë arsye ne e kërkuam kërkesën nga ana Ministria e Drejtësisë dhe të gjithë dokumentacionin, nga atje na u përgjigjën se ministri ka vendosur që dokumentet t’i ruajë vetëm për një vit dhe për këtë ne nuk mundëm ta vërtetojmë se kur është dorëzuar kërkesa, në mandatin e kujt”, shtoi ajo.

Sipas Ministrisë së Drejtësisë, i vetmi dokument që mbartë emrin dhe mbiemrin e Barlet Xhaferit dhe ka shpëtuar i zhdukjes në ministrinë e Drejtësisë, është ai që vërteton datën kur ka dhënë provimin kandidati.

“Dokumentet në periudhën kur ka kaluar provimin Barlet Xhaferi në vitin 2015 janë ruajtur 1 vit. Dokumenti i vetëm ku qëndron emri i tij është në librin për evidenca në të cilën thuhet se ka kaluar provimin e jurisprudencës më 05.02.2015.”, thonë nga Ministria e Drejtësisë.

Ndryshe, Antikorrupsioni paralajmëroi që ka angazhuar Arkivin Shtetëror për të kontrolluar në qoftë se zhdukja e këtyre dokumenteve pas 1 viti përbën shkelje ligjore.

Ditëve në vijim Antikorrupsioni do të angazhojë Inspektoratin e Arsimit të kryejë kontrolle në qoftë se përveç UEJL-së, edhe universitetet tjera kanë dhënë vërtetime të tilla. Përveç kësaj, Shemsi Sallai nga antikorrupsioni paralajmëroi se do të hetohet në qoftë se përveç kësaj, janë dhënë edhe diploma të falsifikuara.

F. Xh. Send an email 21:22, 09-12-2022

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *