TË FUNDIT

“SHBA dhe BE në fushatë krahë Albin Kurtit”, Geci ‘analizon’ veprimet e ndërkombëtarëve

Analisti Halil Geci, thotë se SHBA dhe BE në fushatë janë krahë Albin Kurtit.

Geci përmes një shkrimi në Facebook, shkruan se perëndimi ndryshon qasje në kulmin e fushatës dhe kjo sipas tij i jep fund iluzioneve për tolerim ndaj lojërave të dyfishta të Beogradit.

“SHBA dhe BE në fushatë krah Kurtit: mesazh i qartë politik për Serbinë, opozitën dhe rajonin

Perëndimi ndryshon qasje në kulmin e fushatës, duke i dhënë fund iluzioneve për tolerim ndaj lojërave të dyfishta të Beogradit

Nuk është aspak rastësi që në kulmin e fushatës zgjedhore Bashkimi Evropian heq sanksionet ndaj Kosovës, ndërsa Shtetet e Bashkuara e fusin vendin nën ombrellën e tyre të sigurisë. Këto veprime përbëjnë një sinjal të fortë politik: Perëndimi ka zgjedhur qartë anën e tij.

SHBA dhe BE, pas vitesh përpjekjesh për ta joshur dhe bindur Serbinë që të largohet nga ndikimi rus, kinez dhe ai i Koresë së Veriut, duket se kanë arritur në përfundimin se Beogradi ka luajtur vazhdimisht lojë të dyfishtë. Serbia ka përfituar nga tolerimi i Perëndimit, ndërsa paralelisht ka forcuar aleancat me kundërshtarët strategjikë të tij.

Kur u bë e qartë se kjo qasje nuk po prodhon rezultate, SHBA dhe BE ndryshuan kurs. Jo rastësisht, në fillim të fushatës zgjedhore në Kosovë, ata vepruan fuqishëm në mbështetje të Qeverisë Kurti: BE hoqi sanksionet, ndërsa SHBA rriti ndjeshëm garancitë e sigurisë për Kosovën”, shkruan Geci.

Tutje, Geci thotë se veprimet e fundit të SHBA-së dhe BE-së, tregojnë se aleancat nuk ndërtohen mbi servilizëm.

“Ky është një mesazh i drejtpërdrejtë jo vetëm për Serbinë, por edhe për opozitën kosovare që ka ndërtuar narrativën e saj mbi idenë se Kurti ishte “i izoluar” nga aleatët perëndimorë. Realiteti dëshmoi të kundërtën.

Në gjuhën politike, kjo do të thotë se Perëndimi i ka thënë Serbisë: loja mbaroi. Ndërsa Albin Kurtit i është dhënë sinjali se qëndrueshmëria dhe moslëkundja ndaj presioneve kanë qenë strategji e drejtë, edhe pse e vështirë.

Vendimet e fundit të SHBA-së dhe BE-së tregojnë se aleancat nuk ndërtohen mbi servilizëm, por mbi parime dhe besueshmëri. Kosova, për herë të parë pas shumë kohësh, po trajtohet si partnere serioze e sigurisë perëndimore, ndërsa Serbia po përballet me pasojat e politikës së saj të paqartë.

Kjo është një kthesë e madhe politike në rajon ,dhe një goditje e fortë për të gjithë ata që ndërtuan strategjitë e tyre mbi gabime në leximin e Perëndimit”, përfundon Geci.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *