Tubimi madhështor në Zvicër, Hajdaj: Si fitoi Albin Kurti besimin e mërgatës shqiptare?
Mbrëmë, kryeministri i Republikës së Kosovës dhe kandidati për kryeministër, Albin Kurti, zhvilloi një takim me bashkatdhetarët shqiptarë në Zurich, Zvicër.
Lidhur me këtë takim, për “Bota Sot” ka folur Kujtim Hajdaj nga Guxo, i cili ka vlerësuar lartë rolin e mërgatës shqiptare.
Sipas Hajdaj, mërgata ka një traditë të gjatë përkrahjeje ndaj liderëve dhe partive që udhëheqin popullin në frymën e patriotizmit dhe të një shoqërie civile të përgjegjshme.
“Mbështetja e mërgatës për Albin Kurtin, apo për kryeministrin në detyrë, është e pandalshme dhe madje rritet, sepse për mërgatën tonë, Albin Kurti shihet si lideri më i madh që sot e ka kombi shqiptar, dhe i cili mund të jetë një garanci për sigurinë, stabilitetin dhe sovranitetin e Kosovës. Mërgata, për dallim nga bashkëqytetarët tanë në Kosovë, gjithmonë ka dhënë mbështetje liderëve që udhëheqin popullin në frymën e patriotizmit. Dhe këtë terren patriotik, padyshim, e ka fituar Albin Kurti.
Nëse kthehemi në historikun e Lëvizjes VETËVENDOSJE, e cila u ndërtua mbi bazën e revoltave popullore kundër politikave të dëmshme të pushtetit dhe qeverisjeve të mëparshme të Kosovës — që lidhnin me asociacionin, demarkacionin me Malin e Zi, amnistinë për kriminelët e luftës, listën ‘Srpska’, Gjykatën Speciale, korrupsionin dhe rrëzimin e qeverisë Kurti gjatë pandemisë — atëherë mund të kuptojmë pse Lëvizja VETËVENDOSJE dhe lideri i saj, Albin Kurti, fituan mbështetje kaq të madhe që vazhdonte të rritej dita-ditës, si në Kosovë ashtu edhe në mërgatë”, ka theksuar Hajdaj.
ImageKujtim Hajdaj nga GuxoFoto galeri
Gjithashtu, ai ka kujtuar se mërgata shqiptare ka një traditë të gjatë përkrahjeje për liderët që udhëheqin vendin në frymën e patriotizmit dhe respektit për shtetin, duke bërë krahasim edhe me mbështetjen historike për Presidentin Ibrahim Rugova, liderin simbol të rezistencës paqësore dhe shtetndërtimit të Kosovës.
“Një mbështetje të tillë popullore e pati vetëm LDK-ja e Presidentit Rugova, por me kalimin e kohës dhe zhvillimin e proceseve të brendshme politike brenda LDK-së, ajo mbështetje filloi të humbë jo vetëm në Kosovë, por edhe në mërgatë. Partia tjetër e madhe opozitare, PDK, kurrë nuk pati mbështetje të madhe popullore, as dje, as sot, për shkak të lidhjeve me afera korruptive dhe kriminale pas luftës në Kosovë, dhe veçanërisht për shkak të çështjes së Veriut të Mitrovicës, të cilën Hashim Thaçi e la nën ndikimin e listës ‘Srpska’, të dirigjuar nga Beogradi për politikat e Serbisë së Madhe. Këto janë arsyet kryesore pse mërgata e ktheu vëmendjen dhe mbështetjen e saj kah Lëvizja VETËVENDOSJE dhe lideri i saj, Albin Kurti”, ka deklaruar Hajdaj.
Në fund, Hajdaj ka nënvizuar se tubimi i mbrëmshëm në Zvicër tregoi qartë se mërgata shqiptare mbetet shtylla kryesore e mbështetjes për Albin Kurtin dhe vizionin e tij për një Kosovë të fortë, të drejtë dhe sovrane.
“Edhe sot, kjo mbështetje e madhe qëndron e palëkundur për Albin Kurtin. Bllokimi prej 10 muajsh i shtetit të Kosovës, deklaratat e partive opozitare për të rikthyer gjendjen në Veri të Mitrovicës si më parë, moskalimi i buxhetit shtetëror dhe disa veprime të tjera të pamatura nga opozita, të gjitha këto kanë bërë që Albin Kurti të ruajë mbështetjen e madhe popullore, si në Kosovë, ashtu edhe në mërgatë. Pra, tubimi i djeshëm në Zvicër dëshmoi qartë se mërgata mbetet shtylla kryesore e mbështetjes për Albin Kurtin”, ka përfunduar Hajdaj.
