OPINIONTË FUNDIT

Kimete Berisha: Grushtat lart, mendja poshtë!

1. E shihni?

Sa lehtë e humb qetësinë një mashkull (për një fjalë), e se si i del rrëmbyeshëm instikti primitiv i forcës.

Sot (25 tetor 2025) mendoj se të gjithë meshkujt kanë qëllime të njëjta.

– Por, të mençurit grushtojnë shpirtin, budallenjtë grushtojnë trupin.

2. Rreth Grushtit u bashkuan shqiptarët.

Të lumtë, burrë!

– Grushti i Armend Zemajt, i shoqëruar me kërcënimin publik: “Unë ty të mbys”, simbolizoi nevojën shekullore për t’u shfryrë dhe për të mbytur…

gjithmonë tjetrin…e kurrë frikën brenda vetes që s’je mjaftueshëm burrë.

– Në poezinë shqipe gjithmonë bie shi.

Jashtë poezisë, kur një burrë shqiptar nervozohet, i vjen natyrshëm të të “shajë me nanë e me grua”, siç e dëgjuam publikisht.

3. As qytetari nuk ishte pa kurajë, kishte veshur një xhaketë portokalli të shkurtër për t’ia theksuar belin.

– Padyshim e kishte qepur me porosi…se unë me vite e kërkoj një fustan të verdhë, po nuk e gjej askund.

4. Me grushta lart e mendjen poshtë, Lidhja Demokratike e Kosovës e mbrojti dhunën e Zemajt.

Shprehën gatishmërinë që komplet, burra e gra t’ia shajnë nanën dhe gruan qytetarit me xhaketë portokalli, dhe ndoshta t’ia japin edhe ndonjë grusht tjetër.

– LDK, me krenari, e legjitimoi kërcënimin : “Unë ty të mbys”.

Pra: “E mbysin qytetarin e paedukuar, për një fjalë, pa gjyq’.

Dhe mburren se njeriu i tyre është i aftë të vret… për nderin e vet prej kartoni.

– Po, qytetari ishte i paedukuar.

Por Armend Zemaj dhe LDK normalizuan kërcënimin me vrasje.

5. Dhuna nuk është më incident.

Është identitet.

Nderi i burrave shqiptarë ndodhet në trupin e grave.

– Sa herë nuk ndjehen burra, shajnë nënën e gruan, për ta kthyer burrërinë.

Në Jug të Shqipërisë dhe në Serbi shajnë me motër.

6. Pasi të gjithë e miratuan dhunën, edhe LDK, edhe gazetarët, edhe tifozët e dhunës në rrjete sociale,

Xhafer Tahiri, si “qyqar”, zbuloi mesazhet që treguan se marrëveshja tinëzare me Kurtin ishte me bekimin e kreut të LDK-së.

– Pra tradhtia s’ishte e tij, por e orkestruar nga lart.

– Prandaj, Armend Zemaj e demantoi Lumir Abdixhikun që tha se Xhafer Tahiri është ‘qyqan’ që ka guxuar të bëj koalicion me Albin Kurtin.

– Qyqar do të thotë ‘i shkretë, pa familje’, por Lumiri dhe Armendi kanë kujtuar se qyqar i thonë ‘tutësit’.

– Për LDK-në më mirë të rrahesh në rrugë se sa të bësh marrëveshje.

7. LDK ka nevojë për psikiatër.

8. E kam përmendur njëherë, e nëse e kam përmendur, e keni harruar:

Filozofi Solon një ditë u fut në një nevojtore pa tavan.

Disa fëmijë e kryen punën e tyre mbi kokë.

Njëri i tha: “Të poshtëruan, e ti hesht!” Soloni u përgjigj: Nëse reagoj, do të rrihem e do të rrah; do të mbys ose do të më mbysin…

Duke u bërë që s’i pashë, shpëtuam të gjithë.

9. Në tavolinë mbaj portretin e tre majmunëve të mençur:

‘See no evil, hear no evil, speak no evil’.

Por ky proverb nuk më ka ndihmuar.

As “Mllefi” i Senekës nuk më mban të urtë as një muaj.

– Kam një metodë tjetër: shtirem sikur nuk kuptoj.

– Një grua e panjohur në rrugë, papritur ma lëshoi një fjalë (nuk ju tregoj çka se më vjen inat).

– Ia ktheva: “Faleminderit shumë!”

Por me vete thashë:

– Burrit tënd i pëlqej, prandaj je nervozuar.

– (Unë jam shumë më e mirë se sa që ka nevojë të jem).

10. Dua të bëhem si Soloni, por dje nuk pata si të shtiresha.

Një djalë i gjatë më ndiqte rreth e rrotull.

Farmerka me farmericë, flokë bjond… si një anëtar i “Duran Duran.”

– Kalova në rrugën e rrënuar, hyra në Katedrale, me bindjen se ai nuk i dallon kishat.

Por ai erdhi pas.

Pa u ndalur.

11. Unë jam nga grupi i parë i “intelektualëve të pavarur” (siç i quajnë intelektualët e LDK-së), që e kam parë projektin e katedrales Nënë Tereza, atëherë kur ishte ende vizatim në letër, në Katedralen e Prizrenit.

– Letrarë e fetarë të lumtur, me drithërimë mistike, i sodisnin vijat e zeza nën dritë të zbehtë, duke pëshpëritur si të ruanin një sekret.

– Unë isha e vetmja femër.

Dhe nuk më dukej aspak interesant…

– Katedralja quhet “Zonja Ndihmëtare”, por mua më interesonin motrat e nderit:

gra që luten, pastrojnë, gatuajnë, hekurosin: hyjnore dhe shërbëtore njëkohësisht.

– Ndaj kam bindjen se në një jetë të kaluar kam qenë motër nderi; prej andej më ka lindur një antipati e madhe ndaj pabarazisë.

– Meshkujt i shërbejnë vetëm Zotit.

Femrat i shërbejnë Zotit dhe zotërve lokalë.

Ndaj u thashë motrave:

– Dua t’i shoh dhomat e fjetjes.

Për shembull: ku fle ai prifti.

Më çuan.

Dhoma ishte sa një qeli disidenti.

Shtrat i ngushtë, sa varri. Ose sa shtrati i plazhit, nëse je në humor të zi.

– A do ta shohësh kuzhinën? – më pyetën.

– Jo!

Që prej asaj dite, nuk dua të shoh kuzhina, se më duken si kisha të vogla, ku femrat predikojnë ushqim e bindje, ndërsa burrat presin të mrekullohen…pa pastruar pjatën kurrë.

– Kur u ktheva poshtë, priftërinjtë dhe letrarët më nxitën përsëri:

– Shiko, Kim, se çfarë bukurie do të bëhet Katedralja!

– Unë nuk dija të lexoja vijat në letër…

por dija të dalloja njërin prift që ngjante si Richard Chamberlain te “Zogjtë vdesin duke kënduar”.

Dhe veten time e shihja pak më të butë se Rachel Ward.

Mendova:

Ky mund të ishte i dashuri im. Dhe pastaj do të na ndante Zoti, si në libër.

12. Të gjitha institucionet tona, qoftë Kuvendi apo Katedralja, ndërtohen mbi të njëjtën hierarki: ‘Zoti lart, burri mbi ty.”

13. Prandaj, ne, vajzat e gra, nuk mbijetojmë vetëm me dije.

Duhet edhe pak hile, shumë heshtje, matematikë e ndjenjës, pak aktrim dhe shumë ritual:

Të mos na zë asnjë grusht.

– Sot, vesha një sabahlik plishi ngjyrë gjaku për ta pritur bojaxhiun.

Mendova: Nostalgjia e bojaxhiut për nënat me plish e bën punën më shpejt, më mirë e më lirë.

Por ai më thirri në emër… më njihte.

P.S. Nëse Jezusi do të ishte shqiptar, nuk do t’i thoshte tjetrit:

‘Ma jep edhe faqen tjetër’.

Jo.

Do t’i thoshte:

‘Mos harro nanën time’.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *