OPINIONTË FUNDIT

Nga “tradhti politike” te “kalkulim elektoral” – Përparim Rama nën kritika pas pjesëmarrjes në protestën për lirimin e Thaçit në Tiranë

Kryetari i Komunës së Prishtinës, njëherësh edhe kandidat për një mandat të dytë në zgjedhjet e mbajtura më 12 tetor, Përparim Rama, ka marrë pjesë në protestën e organizuar në Tiranë në mbështetje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që po gjykohen nga Gjykata Speciale në Hagë.

Pjesëmarrja e tij ka tërhequr vëmendjen në opinionin publik dhe ka nxitur reagime të ndryshme.

Disa e kanë konsideruar këtë veprim si të papritur, duke marrë parasysh që Rama vjen nga Lidhja Demokratike e Kosovës, një parti që pas luftës ka pësuar humbje përmes atentateve dhe vrasjeve të shumta, për të cilat në diskursin publik janë përmendur emra të ndryshëm si të dyshuar.

Lidhur me këtë akuza, Rama ka reaguar përmes një postimi në Facebook, duke thënë se nuk është çështje e ditëve të fundit apo çështje politike, por çështje kombëtare.

“Me i mbrojt vlerat e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës është çështje që na takon të gjithëve, përtej partive politike.

Si kryetar i kryeqytetit, në fillim të mandatit tim, para katër vjetëve, në kuadër të kabinetit kam krijuar Sektorin për çështje të kategorive të dala nga lufta e UÇK-së, i cili udhëhiqet nga një ish-veteran i UÇK-së dhe përfaqëson e u shërben veteranëve të luftës.

Jemi e vetmja komunë në Kosovë që e kemi bërë këtë.

Prandaj po them nuk është çështje e ditëve të fundit, nuk është çështje politike, është çështje më e madhe, çështje kombëtare”, ka shkruar Rama në Facebook.

Ymeri kritikon Ramën dhe LDK-në

Në një prononcim për “Bota sot”, profesori universitar dhe publicisti, Eshref Ymeri ka akuzuar Ramën për “tradhti” ndaj LDK-së, si dhe qëndrimi aktual i LDK-së përballë vrasjeve politike.

ImageEshref YmeriFoto galeri
“Përparim Rama e ka tradhtuar LDK-në. Pozita e LDK-së, në raport me qëndrimet e saj të mëparshme për vrasjet politike gjatë dhe pas luftës, është lëkundur keq në dëm të interesave kombëtare të Republikës së Dardanisë

Pjesëmarrja e asaj partie, anëtarë të së cilës janë vrarë nga banda e Thaçit, në koalicione me struktura kriminale, është një oportunizëm me aromë tradhtie”, është shprehur Ymeri.

Gjithashtu, Ymeri ka kritikuar ashpër pjesëmarrjen në protesta me qëllime elektorale në Prishtinë.

“Pjesëmarrja në protesta për përfitime zgjedhore në Prishtinë, është amoralitet politik, me pasoja mbjelljen e indiferentizmit në radhët e elektoratit dardan, çka do të shoqërohet me përpjekjet e banditëve thaçistë për blerjen e votave, pikërisht si në shtetin amë, ku, gjatë 12 vjetëve të qeverisjes së kryetradhtarit Rama, shërbëtorit të poshtër të Vuçiçit dhe armikut të Republikës së Dardanisë, nuk ka zgjedhje normale, ka vetëm shitblerje votash.

Veç kësaj, duhet theksuar me forcë se mitingu, i zhvilluar në Tiranë, i organizuar nga banda tradhtare e Ramës, ishte një aktivitet i turpshëm, i cili dëshmoi se me përçarjen e brendshme shqiptarët i kanë ngrënë kokën shoqi-shoqit. Mitingu ishte zbatim në praktikë i strategjisë afatgjatë të Akademisë serbe dhe të kishës shoviniste serbe për hedhjen e shqiptarëve kundër njëri-tjetrit.

E ndoqa me kujdes atë miting dhe pashë në ekran njerëz-neokomunistë, të cilët, ndërkohë që në vitet ’90 në Dardani vazhdonte lufta, ata shoqëronin Thaçin, që nga hoteli turistik në Sarandë dhe deri në hotelin Rogner në Tiranë. Kur i pashë ato fytyra, ndjeva neveri për ata njerëz pa moral kombëtar”, ka deklaruar Ymeri.

Preqi: Rama nuk është konsultuar me partinë

Të njëjtin mendim ndan edhe opinionisti Dedë Preqi, i cili e ka kritikuar pjesëmarrjen e Ramës në protestat në Tiranë, duke thënë se ai duket se nuk është konsultuar mirë me lidershipin e partisë së tij.

“Përparim Rama, kryetar i Prishtinës, merr pjesë në protestat e organizuara të UÇK-së, në Tiranë, në mbështetje të ushtarëve të saj, të cilët po gjykohen në Hagë, kjo nuk është një pjesëmarrje që duhet kontestuar dhe kundërshtuar, por kryetari i Prishtinës, dhe si anëtar i LDK, sikur nuk është konsultuar mirë me shefin e vet.

Pse e themi këtë, sepse dëgjohen zëra të ndryshëm se pse një njeri shumë i rëndësishëm i LDK-së, del hapur në këto protesta të organizuara nga arteria kryesore e PDK-së, e cila kjo e fundit është e akuzuar si përndjekëse dhe eliminuese e bashkëpunëtorëve të Ibrahim Rugovës, një ndër figurat më mërkante të që ka pasë Kosova, në kohën e vet të demokracisë.

Përparim Rama nuk dallon shumë nga Edi Rama, dhe ky ngjasim mbështetët në konstrukte dhe plane të krijuara në dy anët e shteteve shqiptare, që në veprimet e tyre përvijohet një lloj modeli i veçantë në projektin e tyre që nuk i përshtatet vendit tonë, sepse jemi larg tyre, njëri pretendon modelin e një vendi ku e ka kryer pikturën, ndërsa tjetri në modelin ku e ka kryer arkitekturën”, ka theksuar Preqi.

ImageDedë PreqiFoto galeri
Tutje, Preqi ka shtuar se Rama nuk shqetësohet për vrasjet politike që lidhen me partinë e tij, LDK, por është i fokusuar vetëm te përfitimi personal dhe rizgjedhja si kryetar i Prishtinës.

“Shkurt e trup Përparim Ramës, nuk i interesojnë vrasjet politike të partisë që i përket, por më rëndësi është si të përfitojë dhe të angazhojë publikun, që të fitojë edhe një mandat për kryetar të Prishtinës, sepse në fund të fundit, ky nuk don të merret me ato të kaluara, që qarkullojnë pa u ndalur, të cilat as Gjykata e Hagës, nuk po dëshiron ti trajtojë në mënyrë të duhur.

Përparim Rama, në këtë protestë sikur e ka nuhatur mirë rrethin dhe atmosferën se duhet ti bashkëngjitet domosdo atyre që do të ia plotësojnë kushtet e tij për të qenë edhe njëherë udhëheqës i Prishtinës, duke menduar se format e tilla qojnë drejtë nevojës për të ardhur në pushtet, përndryshe nuk i interesojnë narrativat e të akuzuarve të UÇK-së, dhe qëllimet e Edi Ramës, marrëdhëniet e tij me Kosovën dhe qëndrimet e tij pro Vuçiqit dhe Serbisë.

Dhe më tutje, ky lloj i manovrimeve të këtyre njerëzve për ta keqpërdorur pushtetin po rritet në mënyrë të pandalshme në vendin tonë, dhe prirja për të trajtuar këtë përdorim po bëhet gjithnjë më e theksuar, për të cilat nuk trajtohen norma të drejta dhe normale, por vetëm nevoja të hamendësuara dhe përfitimi.

Kjo do të thotë se pushteti po bëhet më shumë se djallëzor brenda një personi dhe grupi me mënyrat e sjelljes dhe nepotizmit, përmes logjikës në dukje të etur për pushtet, të cilët e qeverisin pushtetin përmes instinkteve, por në të vërtetë edhe aq rebele dhe të ndikueshme prej egoizmit”, ka përfunduar Preqi.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *