Deklarata “bombë” nga Wesley Clark për Kosovën/ Ekspertët: Është alarm i koduar dhe i bazuar në dy burime që…
Ish-komandanti i Forcave Aleate për Evropë si dhe njëri ndër njerëzit kryesorë gjatë bombardimeve të NATO-s gjatë luftës në Kosovë, Wesley Clark, së fundi ka ngritur alarmin për Kosovën.
Gjatë një paneli në Dayton të Ohajos, ku po zhvillon punimet sesioni pranveror i Asamblesë Parlamentare të NATO-s, Clark ka thënë se Kosova mund të shndërrohet në pikë eksplozive.
“Në Ballkanin Perëndimor është një fusnotë e Bosnjës dhe Marrëveshjes së Daytonit, që quhet Kosovë. Chris ka qenë ambasador në Maqedoni, Presidenti Gligorov e kishte parë masakrën ndaj Familjes Jashari në shkurtin e vonshëm të ’98-ës dhe e ka ditur se konflikti po vinte… sot Kosova është vend i pavarur. Gjatë Daytonit nuk mundëm ta shtyjmë Millosheviqin ta adresojë Kosovën. Më vonë e adresoi, por e adresoi me forcat ushtarake dhe policinë speciale. Kjo thyerje mes Serbisë dhe Kosovës është sensitive sot. Kosova s’ka qeveri ende pas zgjedhjeve të fundit, por ka shqetësime serioze për të ardhmen. Pra nuk është vetëm Bosnja dhe ajo çfarë ka mbetur nga vitet e nëntëdhjeta dhe Marrëveshja e Daytonit për të cilat duhet të brengosemi. Në anën tjetër të Serbisë është Kosova dhe ajo po pret si një bombë e kurdisur për t’u shfaqur në kohë të gabuar”, deklaroi gjenerali Wesley Clark.
Se Kosova është një “bombë” ku situata mund të shpërthejë në çdo moment, e thonë edhe ekspertët dhe njohësit e fushës së sigurisë në Kosovë e rajon.
Alarm serioz
Eksperti i sigurisë, Drizan Shala, thotë për “Bota sot” se deklarata e gjeneralit Wesley Clark në Dayton është një paralajmërim serioz dhe duhet të trajtohet si një sinjal strategjik me peshë të madhe, sidomos për institucionet e sigurisë, inteligjencës dhe politikë bërjes në Kosovë dhe aleatët e saj perëndimorë.
“Clark nuk po jep thjesht një koment retrospektiv mbi historinë e rajonit, por po bën një diagnostikim të gjendjes aktuale dhe një paralajmërim të zhvillimeve të ardhshme. Mesazhi i tij përmbledh disa shtylla kyçe: Statusi i pazgjidhur mes Kosovës dhe Serbisë vazhdon të jetë një burim potencial i destabilizimit; Situata aktuale politike në Kosovë, përfshirë ngërçin pas zgjedhjeve (që ai e përmend si mungesë qeverie – ndoshta duke iu referuar krizave politike ose paqëndrueshmërisë aktuale), e shton rrezikun; Ai e përshkruan Kosovën si një ‘bombë e kurdisur’, që është një metaforë e qartë për një krizë të paralajmëruar që mund të shpërthejë në një moment të papërshtatshëm, me pasoja rajonale”, shprehet Shala.
ImageEksperti i sigurisë, Drizan ShalaFoto galeri
Sipas tij, kjo është njëra ndër deklaratat më me peshë të momentit, duke marrë parasysh njohuritë dhe rolin e Clark mbi Ballkanin dhe Kosovën.
“A është kjo një deklaratë me peshë? Po, për disa arsye thelbësore: Clark ka njohuri të thella mbi rajonin, jo vetëm si ish-komandant i NATO-s gjatë luftës në Kosovë, por edhe si figurë që ka ndjekur zhvillimet në Ballkan për dekada. Ai nuk flet me emocion, por me analiza të thella të dinamikës ushtarake, politike dhe strategjike. Ai ndodhej në një forum të lartë ndërkombëtar të NATO-s dhe fjalët e tij nuk janë të rastësishme. Ai përçon mesazhe të koduara, por të kuptueshme për institucionet euroatlantike”, shpjegon eksperti Shala për “Bota sot”.
Por cilët faktorë konkretë mund ta bëjnë Kosovën “bombë të kurdisur”?
“Sipas analizës së tij, disa indikatorë strategjikë janë të dukshëm: Rritja e tensioneve në veri të Kosovës, nën ndikimin direkt të Serbisë dhe mbështetjes ruse; Qasja e ngadaltë e BE-së dhe e SHBA-së për të detyruar zbatimin real të marrëveshjeve, përfshirë Asociacionin dhe mosnjohjen e ndërsjellë; Fuqizimi i strukturave paralele serbe dhe aktiviteti i shërbimeve serbe në territorin e Kosovës; Përçarja politike e brendshme në Kosovë, që e dobëson kohezionin institucional përballë kërcënimeve hibride; Shpërqendrimi i NATO-s dhe SHBA-së me kriza të tjera globale (Ukrainë, Lindja e Mesme), që mund të lërë hapësirë për provokime të menaxhuara nga Serbia”, nënvizon Shala.
Më tej, ai thotë se ky është një moment kur institucionet e Kosovës duhet të rivlerësojnë nivelin e gatishmërisë strategjike dhe operative.
“Duhet të forcohet bashkëpunimi me NATO-n dhe SHBA-në për shkëmbim informacioni inteligjent dhe parandalim krize; Të hartohet një plan emergjent për reagim ndaj një skenari të destabilizimit të drejtpërdrejtë, përfshirë sulme hibride ose incidente të orkestruara në veri; Të forcohet kohezioni politik dhe institucional, për të shmangur çarje të brendshme që mund të keqpërdoren nga aktorë armiqësorë; Të komunikohen me aleatët se Kosova nuk është çështje e përfunduar, por një element aktiv në arkitekturën e sigurisë euroatlantike që kërkon vëmendje dhe mbrojtje të qëndrueshme”, shprehet Shala.
“Si përfundim, deklarata e Wesley Clark nuk është thjesht simbolike: është një paralajmërim i sofistikuar, i koduar në gjuhë diplomatike por me përmbajtje alarmante. Ajo kërkon veprim proaktiv, si nga Kosova, ashtu edhe nga partnerët ndërkombëtarë. Të injorosh këtë paralajmërim do të thotë të nënvlerësosh një skenar destabilizimi që është tashmë në ndërtim”, përfundon eksperti i sigurisë, Drizan Shala për “Bota sot”.
Burimet e Clark
Kurse eksperti tjetër, Bedri Elezi, thotë se alarmi nga Clark është i bazuar në dy burime kryesore.
“Deklarimet e Zotit Clark, përkatësisht Wesley Clark, i cili ka qenë njëri ndër aktorët kryesorë të zhvillimeve që nga lufta e fundit dhe personi i cili ka informacione në kohë reale nga burime mirë të informuara dhe të sigurta, i cili në kuadër të aktiviteteve që po mbahen në Dayton, si pjesë e panelit, ka ngritur shqetësimet në lidhje me zhvillimet që mund ta presin Ballkanin, përkatësisht Kosovën, ku ka përmendur dy burime sigurie të cilat janë konstatuar edhe nga vizitat e shefit të CIA-s të vitit të kaluar në Kosovë, por edhe nga përfaqësues të shtetit të Bashkuar, të Britanisë së Madhe dhe të Bashkimit Evropian në lidhje me situatën e sigurisë”, shprehet Elezi.
Ashtu si Shala, edhe Elezi thotë se ky është një alarm serioz, dhe si i tillë duhet të trajtohet nga institucionet e Kosovës.
“Këto paralajmërime janë serioze dhe duhet të trajtohen si të tilla, sepse ekziston rreziku që Kosova të rrëshqasë në një situatë të rëndë të sigurisë dhe asaj politike, dhe krejt kjo për shkak se Qeveria e Kosovës kishte angazhuar Policinë e Kosovës në disa aktivitete në katër Komunat me shumicë serbe, të cilat janë kontestuar nga serbët lokalë dhe Beogradi zyrtar, dhe po ashtu janë kritikuar nga partnerët ndërkombëtarë të Kosovës, siç janë KFOR-i, Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Këto veprime të Institucionit të Republikës së Kosovës, pavarësisht se kanë qenë të bazuara në normativat ligjore të Kosovës, pavarësisht se qëllimi ka qenë shtrirja e sovranitetit dhe luftimi i krimit dhe krimit të organizuar në atë pjesë si dhe grupeve terroriste, këto veprime nuk kanë qenë të harmonizuara me informacionet që vijnë nga shërbimet inteligjente dhe pasojat që mund t’i ketë, dhe po ashtu nuk kanë qenë të koordinuara me faktorin ndërkombëtar, posaçërisht me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, shpjegon Elezi.
Për fund, Elezi deklaron se Kosova po vuan dhe do të vuajë edhe më shumë pasojat nga mosformimi i institucioneve të reja.
“Prandaj ky konstatim i Clark dhe disa deklarimet e përfaqësuesve të Bashkimit Evropian janë serioze dhe urgjentisht Kosova duhet t’i trajtojë ato. Gjithashtu i njëjti ka përmendur dhe faktin se Kosova është e sfiduar realisht nga mungesa e Organit të Qeverisë, se Kosova është pa Qeveri. Ka qeveri në detyrë, e cila sigurisht është e kufizuar sa i përket veprimeve të saj. Dhe po ashtu është një Qeveri që e ka sjellë Kosovën në sanksion. Ju e dini se për shkak të veprimit të njëanshëm që Kosova ka pasur në 4 Komunat me qeverinë serbe, është në sanksion dhe po ashtu e njëjta po përjashtohet nga shumë programe ndërkombëtare. Sidomos me programet që kanë të bëjnë me integrimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare”, përfundon eksperti Bedri Elezi.