A po lëkundet LDK? Analisti jep parashkimin e tij: Përplasjet e brendshme mund të…
Deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti ka shprehur pakënaqësitë e tij në lidhje me votat prë deputet. Edhe Arben Gashi, Driton Selmanaj kanë shprehur pakënaqësi në LDK, sa i përket votave.
Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri deklarata e Hotit i ka quajtur qesharake.
“Më së paku ai (Avdullah Hoti) është në pozitë të bëjë deklarata qesharake. Avdullah Hoti dhe shumica prej neve në LDK sillemi dhe punojmë si të përgjegjshëm, të urtë dhe të butë në qëndrimet tona, por të palëvizshëm dhe kokëfortë në bazë të parimeve politike që i kemi. Ne përfaqësojmë vlerat tona. Kjo është zhurmë politike dhe asgjë tjetër”, thotë ndër tjera Haziri.
Analisti Eduard Gashi, në një prononcim për “Bota sot”, thotë se deklarata e Hazirit kundrejt Hotit pasqyron një tension të brendshëm politik
“Deklarata e z. Haziri ndaj z. Hoti pasqyron një tension të brendshëm politik, i cili nuk është i pazakontë në jetën e një partie të madhe. Kur ekzistojnë dallime në qëndrime, është e rëndësishme që ato të adresohen me përgjegjësi dhe kujdes, jo për të thelluar ndarjet, por për të ndihmuar në sqarimin dhe pastrimin e qëndrimeve. Kritikat duhet të jenë një mundësi për reflektim dhe përmirësim të përbashkët”, thotë ai.
Tutje, ai thotë se çdo debat i brendshëm nëse nuk kalohet me urtësi, mund të ketë ndikim edhe në strukturë.
“Me “zhurmë politike” z. Haziri i referohet komenteve ose veprimeve që, sipas tij, nuk kontribuojnë në zhvillimin e një debati të thelluar dhe të frytshëm, por shërbejnë më shumë për konsum publik apo për të krijuar tension të panevojshëm. Është një mënyrë për të thënë se nuk ka thelb politik në atë çfarë është thënë, por thjesht zhurmë që mund të kalojë shpejt nëse nuk i jepet më shumë rëndësi sesa meriton.
Çdo debat i brendshëm, nëse nuk menaxhohet me urtësi, mund të ketë ndikim në strukturë. Por një parti e qëndrueshme nuk lëkundet nga fjalët, por forcohet nga reflektimi dhe nga kapaciteti për të trajtuar sfidat përmes dialogut të brendshëm. Mjafton që të ketë vullnet të mirë dhe që parimet të mbeten busull e përbashkët, që strukturat të mos lëkunden, por të rinovohen”, shpjegon ai.
Në fund, thotë se Lidershipi i vërtetë nuk vjen nga konfrontimi i egër, por nga aftësia për të mbajtur bashkë mendimet për të ardhmen e partisë.
“Nëse përplasjet shndërrohen në ndarje të thella, atëherë rreziku për ndikim në lidership është real. Por nëse trajtohen me maturi dhe vendosmëri, ato mund të shërbejnë për një riorganizim të shëndetshëm. Lidershipi i vërtetë nuk vjen nga konfrontimi i egër, por nga aftësia për të mbajtur bashkë mendimet e ndryshme dhe për t’i kthyer ato në forcë vepruese për të ardhmen e partisë dhe të vendit”, përfundon ai.