TË FUNDIT

MINT-i dhe Dogana nënshkruajnë marrëveshjen për testim laboratorik të derivateve

Për të lehtësuar tregtinë, parandaluar monopolizimin dhe shmangur kostot e larta të testimeve laboratorike për kontrollin e cilësisë në tregun e brendshëm, Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT) dhe Dogana e Kosovës kanë nënshkruar një Marrëveshje Mirëkuptimi (MoU).

Kjo marrëveshje garanton që testet laboratorike do të kryhen pa asnjë barrë financiare për buxhetin e MINT-it apo bizneset, duke siguruar transparencë dhe integritet në këtë proces, si dhe duke përmirësuar standardet e kontrollit të cilësisë.

“Që nga vendimi i ministres së MINT-it, Rozeta Hajdari, Dogana e Kosovës ka marrë përsipër kryerjen e testimeve laboratorike për të garantuar konformitetin e derivateve të naftës të importuara në Kosovë. Me kalimin nga laboratorët privat në laboratorët shtetërorë, kemi arritur të kursejmë ekonominë e Kosovës dhe qytetarët nga kosto të panevojshme prej 1.1 milionë eurosh” thuhet në njoftimin e përbashkët.

Nga Dogana dhe Ministria deklarohen se nga nëntori i 2021-tës ka nisur kontrolli i cilësisë për vajrat motorikë dhe hidraulikë. Që atëherë, laboratori i Doganës së Kosovës ka kryer testime për 910 mostra të vajrave, prej të cilave 78 nuk i kanë përmbushur standardet dhe janë ndaluar nga hyrja në treg.

“Gjithashtu, kemi kryer auditimin e katër operatorëve privat të licencuar për përzierjen e karburanteve dhe vajrave për ngrohje. Pas inspektimeve, Dogana e Kosovës konstatoi se operatorët nuk po respektonin masat e mbikëqyrjes, ndërkaq MINT vendosi revokimin e licencave të tyre. Si rezultat, bazuar në kërkesat e tregut dhe rritjen e mbikëqyrjes, kemi parandaluar shmangien tatimore që mund potencialisht të ndodhte përmes këtyre operatorëve, duke kursyer buxhetin e Kosovës me rreth 3.5 milionë euro në vit”, thuhet tutje në njoftim.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *