POLITIKA

Taravari tregon arsyet e kandidimit: Ndryshimi është motivim im kryesor, 23 vjet pushtet është e tepërt

Kryetari i Aleancës për Shqiptarët dhe kandidati për presidenti i koalicionit VLEN, Arben Taravari në debatin presidencial në pyetjen cilat janë motivet pse ka garuar në zgjedhjet presidenciale, tha se motivi kryesor edhe tash edhe kur është përfshirë në politikë ka qenë ndryshimi.

“Është periudhë e vështirë për shtetin dhe çdokush që ka një status si unë, mjek dhe profesor universitar, çdokush nga ne mundohet ta mbajë atë konfort zonën e vet. Unë çdo herë kam menduar se motivim im kryesor, edhe kur jam kyçur në politikë ka qenë ndryshimi dhe jam munduar që ta jap kontributin tim si intelektual shqiptar në këtë shoqëri”, tha Taravari.

Sipas Taravarit, në këto kohë të vështira për shtetin, çdokush që ka kapacitet intelektual dhe moral e ka për obligim ndaj shoqërisë të ndihmojë aq sa mundet dhe se shqiptarët kanë nevojë për ndryshim.

“Shqiptarët mezi e presin ndryshimin historik. 23 vjet pushtet është e tepërt dhe mendoj se një gjeneratë e re e politikanëve meriton që ta udhëheqë shtetin dhe t’i jepet një shans. Unë shoh të ri në strukturat tona partiake të cilët kanë kapacitete dhe atyre duhet t’u ofrohet mundësia ashtu siç iu ka ofruar mundësia z.Osmani”, tha Taravari.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *