Ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Shqipërisë: NATO e mbron Kosovën, Shqipëria e forcon me ushtarë
Ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Shqipërisë, Bardhyl Kollçaku, theksoi se vitin e fundit pothuajse është dyfishuar kontributi dhe prezenca e trupave shqiptare në misionin e Kosovës dhe se ajo që do t’i sigurojë ai kosovarët është që “Shqipëria qëndron e palëkundur dhe do të jetë me vëllezërit tanë, pra me ju në Kosovë për aq kohë sa do të jetë e nevojshme, ashtu siç do të jetë dhe Aleanca”.
Ndërkaq, lidhur me deklaratën e ambasadorit amerikan në Serbi, Christopher Hill, se Serbia tani është më afër hyrjes në NATO se Kosova, Kollçaku vlerëson se ky mund të jetë një lapsus ose deklaratë e pamenduar mirë, sepse siç tha, ambasadori i ShBA-së në Kosovë e kundërshton flakë për flakë atë pretendim të Hillit, duke shtuar se nuk duhet të krahasohen vendet.
“Kosova është sot një model i një vendi që aspiron në hapësirën euroatlantike, jo vetëm me fjale e deklarata, por me reforma e angazhime, me kontribute konkrete, jo vetëm në Forca të Armatosura të cilët janë model, por edhe në kulturën demokratike në orientimin e qartë perëndimor në të gjithë reformat, në sistemin gjyqësor e në siguri.
Ndaj unë jam i sigurt që faktori kosovar, qoftë pozitë e opozitë, të vazhdojnë në këtë rrugë, dhe perspektiva euroatlantike është e sigurt për popullin e Kosovës shumë shpejt”, deklaroi Kollçaku.