POLITIKATË FUNDIT

PËRPLASJE MES BDI-së DHE KOMUNËS: Kujt i takojnë meritat për rrugën prej 1 kilometër?

Nga BDI, thanë sot se rruga ka një gjatësi prej 1 kilometër dhe ka kushtuar 266 mijë euro. Nga komuna e Tetovës insistojnë se projekti është fituar pasi që është bërë aplikimi në Bankën Botërore përmes Ministrisë së Transportit

Urim HASIPI

Tetovë, 7 shkurt – Fillimi i asfaltimit të rrugës “Vëllezërit Milladinovi” në Tetovë shkaktoi përplasje të mëdha ndërmjet Bashkimit Demokratik për Integrim dhe komunës së Tetovës. Derisa komuna pretendon se projekti është fituar në Bankën Botërore përmes Ministrisë së Transportit, këshilltarët e BDI-së akuzojnë se komuna e Tetovës mburret me projektet e pushtetit qendror. Këshilltarët e BDi-së në komunën e Tetovës thonë se në mungesë të projekteve dhe punëve, kreu i komunës së Tetovës Bilall Kasami tenton të përvetësojë ndërtimin e rrugës që është projekt i qeverisë. Nga BDI, thanë sot se rruga ka një gjatësi prej 1 kilometër dhe ka kushtuar 266 mijë euro. “Kjo nuk është herë e parë që kryetari i komunës vrapon për të bërë bajaktarizëm. Ai ka tentuar shumë gjëra të tjera t`i përvetësojë, siç tentoi të përvetësojë edhe rrugën Tetovë-Prizren, duke e gabuar tërësisht edhe trasenë dhe duke dalë tepër qesharak, për tu demantuar një ditë më pas edhe nga qeveria e Kosovës. Qytetarët janë të vetëdijshëm se kush realizon projekte të mëdha dhe kush tenton t`I përvetësojë ata. Mundet vetëm t’i ëndërroni projektet që i realizojmë ne, por ju edhe kur ëndërroni, qëllimin e keni tek tenderat dhe për fitimi i klanit tuaj mafioz, e jo tek qytetarët”, tha Fitim Mustafi, këshilltar i BDI-së në komunën e Tetovës.

Në ndërkohë, nga komuna e Tetovës insistojnë se projekti është fituar pasi që është bërë aplikimi në Bankën Botërore përmes Ministrisë së Transportit. Prej komunës së Tetovës thonë se në mënyrë shtesë është aplikuar edhe për infrastrukturën nëntokësore të kësaj rruge.

“Komuna e Tetovës ka aplikuar për projekt që është miratuar nga ana e Bankës Botërore dhe është një projekt që ka të bëjë me përmirësimin e infrastrukturës rrugore, sidomos të rrugëve lokale. Ndërkohë, komuna aplikoi dhe fitoi projekt nga UNDP-ja, për të përmirësuar infrastrukturën nëntokësore, atë të kanalizimit atmosferik dhe rrjetit tjetër përcjellës. Sqarojmë opinionin se mjetet nuk janë të Ministrisë edhe pse ata pretendojnë se projekti është i tyre, megjithatë komuna e Tetovës do të vazhdojë të punojë për përmirësimin e infrastrukturës në Tetovë”, deklaroi Besarta Ramadani, zëdhënëse e komunës së Tetovës.

Rikujtojmë se kjo rrugë filloi të ndërtohet në pjesën e dytë të vitit të kaluar dhe tashmë ka filluar asfaltimi i së njëjtës. Banorët e kësaj lagje, një kohë të gjatë kanë kërkuar që kjo rrugë të përfundohet për shkak të pengesave të shumta që janë shkaktuar në qarkullimin e tyre sidomos me automjete. Përplasjet e kësaj natyre filluan ditë më parë, kur nga BDI-ja akuzuan komunën e Tetovës se rruga KRD në Tetovë nuk është asfaltuar si duhet ndërsa nga komuna e Tetovës theksuan se rruga nuk është përfunduar. (koha.mk)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *