POLITIKATË FUNDIT

Deputeti i Vetëvendoses ua fut frikën në palcë serbëve të Millosheviciq: Kërkon zyrtarisht që Gjykata Speciale ta hetojë Masakrën e Dubravës

Nga Enver Dugolli

Fjala ime hyrëse në konferencën e sotme për media:

Të nderuar gazetarë,

Të dashur qytetarë të Republikës së Kosovës,

Në një intervistë të vitit 2021, kryetarja e Dhomave të Specializuara, znj. Ekaterina Trendafilova, ka mohuar që Gjykata Speciale (siç njihet tashmë) të jetë një-etnike. Kjo gjykatë, shpjegoi ajo, ka jurisdiksion mbi “krime kundër njerëzimit, krime lufte dhe krime të tjera sipas ligjeve të Kosovës, të cilat kanë nisur ose janë kryer në Kosovë ndërmjet 1 janarit 1998 dhe 31 dhjetorit 2000, nga, ose ndaj qytetarëve të Kosovës ose ish Republikës Federale të Jugosllavisë”.

– Advertisement –

Për më tepër, ajo pohoi se: “ligji e pasqyron qartë se [Gjykata] nuk është themeluar për të nisur procedura kundër një grupi etnik të caktuar. … Vendimi se kush të akuzohet është ekskluzivisht i Prokurorit të Specializuar, … duke u bazuar në hetimet e zyrës së tij dhe disponueshmërinë e provave”.

Arsyeja pse e kam thirrur këtë konferencë, është për të njoftuar opinionin publik se para një jave, iu drejtova ushtruesit të detyrës së prokurorit të specializuar, z. Aleks Wajting, me një kërkesë të detajuar për nisjen e hetimeve kundër planifikuesve dhe kryesve të masakrës së burgut të Dubravës të vitit 1999. Këtë e kam bërë në cilësinë jo vetëm të dëshmitarit, por edhe të mbijetuarit të kësaj masakre, të cilën organizata “Human Rights Watch” e ka quajtur “një ndër ngjarjet më të këqija të luftës në Kosovë”. Nëse Gjykata Speciale vërtet nuk është një-etnike, atëherë nuk ka asnjë arsye pse të mos hetohen krimet lidhur me planifikimin dhe kryerjen e kësaj masakre.

Nga viti 1999, deri më sot, asnjë zyrtar i Serbisë nuk është akuzuar nga asnjë gjykatë, për këtë krim monstruoz. Ka ardhur koha për t’i dhënë fund kësaj mosndëshkueshmërie. Kërkesa ime drejtuar prokurorit të specializuar, përbën dëshmi të mjaftueshme për të hapur hetime, dhe eventualisht për të ngritur aktakuzë, kundër zyrtarëve të lartë të Serbisë të asaj kohe, të cilët planifikuan dhe kryen masakrën e burgut të Dubravës.

– Advertisement –

Do të dëshiroja të theksoja dy pika në veçanti.

Së pari, deri tash është supozuar nga disa studiues dhe analistë, që kjo Gjykatë nuk mund të hetojë krime të kryera nga forcat dhe autoritete serbe, por vetëm krime të kryera, kinse, nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës. Dhe, sigurisht, fakti që të gjithë të akuzuarit e deritanishëm të kësaj Gjykate janë shqiptarë, vetëm e përforcon këtë supozim.

Mirëpo, një lexim i kujdesshëm i Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokuorit të Specializuar, tregon se ky supozim është i gabuar. Jurisdiksioni lëndor i Gjykatës, i jep prokurorit të specializuar mjaft hapësirë për të hetuar edhe krime të kryera nga autoritetet serbe. Jurisdiksioni i Gjykatës është i kufizuar në krime që “kanë lidhje me” (në anglisht: “related to”) ose që “kanë të bëjnë me” raportin e z. Dick Marty. Është e vërtetë se ai raport, i ka si temë kryesore krimet e supozuara të pjesëtarëve të UÇK-së. Mirëpo, në dy vende, ai raport përmend edhe “krime të kryera nga forcat serbe”. Raporti konstaton si në vijim: “Natyra e frikshme e këtyre krimeve rrjedh nga politika e ligë e urdhëruar nga Milloseviqi për një periudhë të gjatë. … Këto krime ua kanë marrë jetën dhjetra mijëra viktimave … Popullsia e shqiptarëve etnikë vuanin nga dhuna e tmerrshme si pasojë e një politike të çmendur të spastrimit etnik nga ana e diktatorit atëherë në pushtet në Beograd”.

Raporti po ashtu pohon se: “Çështja e cila, nga pikëpamja humanitare, mbetet më akute dhe e ndjeshme është ajo e personave të pagjetur”. Z. Marty thekson se shumica e personave të gjetur në varreza masive kanë qenë shqiptarë të Kosovës dhe, po ashtu, rreth dy të treta të personave ende të pagjetur janë shqiptarë të Kosovës. Disa prej këtyre, siç e dini, kanë qenë të vrarë dhe të zhdukur në burgun e Dubravës, duke përfshirë profesorin Ukshin Hoti.

Po e theksoj edhe një herë: Në mënyrë që Gjykata Speciale të ketë jurisdiksion për të trajtuar një krim të caktuar, nuk ka nevojë që ai krim të ishte temë kryesore e Raportit të z. Marty. Në fakt, titulli i Raportit sygjeron se tema kryesore e tij ka qenë trafikimi i organeve, mirëpo, asnjë aktakuzë nuk është ngritur deri më sot lidhur me atë krim të hamendësuar, por vetëm me krime të tjera të përshkruara në atë Raport. Sipas Ligjit, pra, mjafton që një krim të ketë ndonjë “lidhje” me Raportin, sado të vogël, dhe prokurori ka kompetencë për ta hetuar. Krimet e forcave serbe ndaj shqiptarëve të Kosovës janë përmendur shprehimisht, madje më shumë se një herë, në Raportin e z. Marty. Po të njëjtat vepra penale me të cilat janë ngarkuar komandantët e UÇK-së (padrejtësisht, për mendimin tim), janë kryer, pa asnjë fije dyshimi, nga forcat dhe autoritetet serbe. Shumë nga kryesit e këtyre krimeve, si në rastin e Dubravës, janë ende të pandëshkuara. Prandaj, mbetet në vullnetin e prokurorit të specializuar për të vendosur, a t’i hetojë këto krime apo jo. Është në dorën e prokurorit për të vërtetuar nëse Gjykata Speciale është, apo s’është, një-etnike.

Së dyti, për sa i përket aspektit faktik: Në pjesën e dytë të kërkesës sime për hapjen e hetimeve, i kam dhënë prokurorit të specializuar një pasqyrë të hollësishme të të gjitha ngjarjeve relevante gjatë planifikimit dhe ekzekutimit të masakrës së Dubravës. Siç e dini ju, këto ngjarje i kam rrëfyer në librin tim, Qark i (pa)mbyllur burgjesh. Po ju jap tani një përmbledhje të dëshmisë që i kam dërguar prokurorit.

Dua të përmbyll deklaratën time duke theksuar se masakra e Dubravës, për fat të keq, nuk është i vetmi krim monstruoz i forcave dhe autoriteteve serbe që mbetet i pandëshkuar. Ka mundësi që kërkesa ime ishte e para që i ka kërkuar zyrtarisht prokurorit të specializuar që të hetojë krime të kryera nga shteti serb në Kosovë. Shpresoj shumë që të mos jetë e fundit.

Autori është deputet i Vetëvndosjes. Shkrimi është marrë nga FB personal i zm Dugolli në link: https://m.facebook.com/story.php?story_fbid=pfbid0dgEPp4yFMbfGu6nTNWY3Hrca5wYrm21VR1uNStGokJHBUftksh7LxMWw1rVi1YGXl&id=100002468984152&mibextid=Nif5oz

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *