“Grushte në kokë e pjesë të tjera të trupit”, dosja për sulmin ndaj gazetarit Syla, Prokuroria përshkruan se si ndodhi gjithçka
Tre të dyshuarit për sulmin ndaj gazetarit Valon Syla, Lum Dervishi 24 vjeçar, Kenan Hasani 23 vjeçar dhe Okan Hasani 24 vjeçar tashmë janë duke mbajtur masën e sigurisë atë të paraburgimit për 30 ditë nën dyshimin se kanë kryer veprën penale të nxitjes së urrejtjes apo përçarjes me rastin e sulmit ndaj gazetarit Syla.
Tre të dyshuarit për sulmin fizik ndaj gazetarit Syla para se t’iu caktohej 30 ditë paraburgim, me 14 prill 2023, kanë dalë para gjykatës në lidhje me kërkesën e Prokurorisë Speciale për caktimin e masës së sigurisë.
Sipas vendimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë për caktimin e paraburgimit ndaj tre të dyshuarve të cilën e ka siguruar gazeta online Reporteri.net, tregohen arsyet pse PSRK-ja ka kërkuar paraburgim ndaj tre të dyshuarve.
Prokurori Special Afrim Shefkiu në kërkesën për caktimin e masës së sigurisë, ka përmendur faktin se sulmi ndaj gazetarit Syla ishte me motive ideologjike ekstreme fetare.
“Ekziston dyshimi i arsyeshëm se me datë 11.04.2023, rreth orës 23:00 min, në Prishtinë të motivuar me ideologji ekstreme radikale islamike e me motiv të nxitjes së urrejtjes fetare përçarjes dhe mos durimit ndaj gazetarit Valon Syla për shkak të një profili të tij në rrjetin social “Facebook”, për profetin Muhamed dhe profetin Isa, paraprakisht e përcjellin të dëmtuarin nga Tv “T7”, dhe më të arritur afër restorantit “Image”, në lagjen Bregu i Diellit në Prishtinë duke ia rrezikuar sigurisë e sulmojnë fizikisht më grushte në kokë dhe pjesë të ndryshme të trupit duke i shkaktuar lëndime të lehta trupore për çka edhe si rast urgjent i njëjti dërgohet në QUU në Prishtinë për ndihmë mjekësore, por me punën operative të pjesëtarëve të Policisë së Kosovës të njëjtit me datë 12.04.2023 arrestohen”, thuhet në kërkesën e Prokurorisë Speciale për caktimin e paraburgimit.
Të tre të dyshuarit kanë pranuar para organit të akuzës së kanë sulmuar gazetarin Syla ndërsa kanë përmendur faktin se kanë qenë edhe të sulmuar.
“… dua të shtoj vetëm me atë që ta prokurori që na jena largu, mirëpo e vërteta qëndron se ne nuk jemi larguar por na kanë sulmuar më shumë se 10 persona aty prezent që kanë qenë, na kanë sulmuar me mjete të forta siç kanë qenë gajbe të birrave, gur dhe gjësende tjerë. Ndjej keqardhje që ka ndodh dhe nuk ka motive qysh i ceki prokurori, ka qenë e momentit për shkak se e ka fyer pejgamberin a.s., i propozoj gjykatës që të më shqipton ndonjë masë më të lehtë, masë me të cilën di ta respektoj dhe do ti përgjigjem gjykatës në çdo moment që më kërkon”, ka deklaruar para gjykatës i dyshuari Lum Dervishi.
Ndërsa i akuzuari Kenan Hasani ka thënë se sulmi që ka ndodhur ka qenë i momentit dhe se nuk kanë pasur për qëllim që të ikin nga vendngjarja.
“…dua të theksoj për rastin që po cilësohet si nxitje dhe nuk ka të bëjë me këtë punë, ka qenë vetëm e momentit dhe nuk ka qenë as e planifikuar ose diçka tjetër edhe nga vendngjarja nuk e këna pas qëllim me ik dhe për shkak të sulmit që na kanë bo u dashtë mu largu prej vendit se na kanë sulmuar me mjete të forta, me gur , me gajbe të birrave dhe sendeve tjera ku u dëmtu vetura dhe na”, ka deklaruar i dyshuari tjetër në këtë rast Kenan Hasani.
Ai para gjykatës kishte shprehur keqardhje për sulmin ndaj Syles, shkruan gazeta online Reporteri.net.
“Neve na vjen keq për këtë rast që ka ndodhur dhe s’kemi dashur as na me ardhë puna deri këtu dhe ka qenë e moment i qastit dhe ska pas motive tjera më shumë për të cilat akuzohem, jam i gatshëm mu paraqit sa herë të jetë nevoja dhe mund ti dorëzoj pasaportën dhe letërnjoftimin”, kishte deklaruar tutje i dyshuari Kenan Hasani.
Kërkesën për caktimin e paraburgimit e kishte kundërshtuar edhe i dyshuari i tretë Okan Hasani i cili para gjykatës kishte deklaruar se pasi që i kishte telefonuar policia ata nuk kanë rezistu dhe kanë pranuar që ti dorëzohen policisë.
“Nuk e pranoj paraburgimin e para se na nuk këna pas mu arratis por qysh ka ndodh rasti e shpjeguan edhe këta, na edhe mas rastit këna qarkullu lirshëm, i këna pa edhe lajmet edhe krejt dhe skena tentu mu arratis a diçka, masi na ka ardhë telefonata prej policisë na skena rezistu, këna pranu kanë ardhë me na marrë, edhe për zhdukje të provave na e pranojmë ashtu siç e shpjeguam”, ka thënë i dyshuari Okan Hasani.