INTERESANTETË FUNDIT

Bukurshkrimi i Agim Ramadanit, publikohet tema e diplomës që e kishte shkruar me dorë

 Agim Ramadani pos si patriot dhe luftëtar, ishte i njohur edhe për botën e artit. Bukurshkrimi ishte pjesë e kapaciteteve të tij krijuese, e kjo u dëshmua edhe në temën e diplomës së tij, që tërësisht e kishte shkruar me dorë.

Si ushtarak i karrierës, Ramadani kishte studiuar në fushën e komunikacionit në kazermën “Ivan Goshnjak”. Bashkëshortja e tij, Shukrije Ramadani, shkroi në Facebook se diploma i kishte gjithsej 70 faqe dhe e tëra ishte shkruar nga dora e Agimit, por që ende s’është përkthyer në gjuhën shqipe.

“Meqë shumë nga ju keni njohur Agimin, por nuk keni pasur rastin të njihni bukurshkrimin, përkushtimin dhe njohuritë e thella që posedonte në fushën që përcaktohej për ta studiuar, po ndaj me ju sot punën e madhe që ka bërë në temën për diplomim në drejtimin si ushtarak karriere në fushën e komunikacionit, në kazermën ‘Ivan Goshnjak’ në Zagreb. Duke qenë e bindur se edhe sot kjo temë është tejet e rëndësishme për ushtrinë tonë (FSK)e cila duhet të formësohet sa më profesionalisht që është e mundur. Më vjen keq që ende nuk kemi arritur ta përkthejmë këtë punim diplome që me kaq dashuri, përkushtim, profesionalizëm e durim u shkrua me dorën e Agimit! Ka mbi 70 faqe ,këtu po i paraqes pak nga ato”, shkroi ajo të mërkurën.

Bukurshkrimin e “Katanës” e vlerësoi edhe gazetari Enver Robelli, duke e quajtur të mahnitshëm.

“Para disa ditësh u bë viral një njoftim me bukurshkrimin e një zyrtareje të Ujësjellësit të Prishtinës. Por paska bukurshkrim përtej bukurshkrimit! Për shembull, siç mund ta vëreni këtu, bukurshkrimin e Agim Ramadanit, nga punimi i tij i diplomës, i dorëzuar më 20 janar 1987 në Shkollën e Lartë Tekniko-Ushtarake të Ushtrisë Tokësore në Zagreb të Republikës së Kroacisë. Qysh do të thoshin tinejxherët e Kosovës: Amazing”, shkroi ai.

Agim Ramadani ishte lindur më 3 maj 1963 në fshatin Zhegër të Gjilanit. Bashkëshortja e tij kishte rrëfyer ekskluzivisht për KOHËN për krijimtarinë artistike dhe jetën e Agimit.

“Gjatë rinisë, sidomos në Kroaci sa ka jetuar, Agimi është marrë me poentilizëm, punime me pika shumë të veçanta. Fatkeqësisht pjesa më e madhe është djegur, meqë kanë qenë në Kosovë. Vetëm këto punime të cilat i kem pasur në Zvicër kanë shpëtuar. Ne kemi jetuar nga veprat e Agimit dha ka shumë piktura të shitura në Zvicër. Dy zonja në Zvicër m’i kanë kthyer pikturat e Agimit si dhuratë për ditëlindje, edhe pse kanë pasur një shumë të madhe. Ndërsa shqiptarët nuk i kanë kthyer, por shpresoj që nga një kopje të arrij t’i mbledhë”, ka thënë Ramadani.

“Katana” kishte rënë dëshmor më 11 prill të 1999-s në Koshare.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *