Kreu i OEK-ut, Lulzim Rafuna takohet me përfaqësuesit e Odës Ekonomike të Serbisë
Kreu i OEK-ut, Lulzim Rafuna takohet me përfaqësuesit e Odës Ekonomike të Serbisë
Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna, ka marrë pjesë në takimin e radhës të Bordit të Forumit Investiv të Odave (FIO) të Ballkanit Perëndimor, që po mbahet në Shkup.
Në margjina të këtyre takimeve në kryeqendrën e Maqedonisë së Veriut, delegacioni i Odës Ekonomike të Kosovës i kryesuar nga kryetari Rafuna është takuar sot pas dite me përfaqësuesit e Odës Ekonomike të Serbisë për të diskutuar për pengesat që bizneset e Kosovës, si dhe për të kërkuar zgjidhje ashtu që të eliminohen këto pengesa.
Lidhur me këto takime, kryetari Rafuna nuk ka dhënë shumë detaje për KosovaPress, por siç ka theksuar ai, ky takim nuk ka të bëjë asgjë me marrëveshjen e Ohrit, ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
“Kjo nuk ka të bëjë me marrëveshjen e Ohërit. Këto takime janë zhvilluar në kuadër të Bordit të Forumit Investiv të Odave (FIO) të Ballkanit Perëndimor, që është prej Procesit të Berlinit. Tani meqenëse unë e udheheqi këtë mekanizëm, në takim kam ngrit barrierat me Serbinë, nga ankesat që mi kanë sjellë anëtarët. Duhet me u heq këto barriera nëse dojmë me pasur treg fer në Ballkan”, ka thënë Rafuna për KosovaPress.
Ai ka thënë se nesër do të ndan më shumë sqarime për këtë takim.
Forumi i Investimeve i 6 Dhomave të Ballkanit Perëndimor, me mbështetjen e Komisionit Evropian, ka shpërblyer 16 kompanitë më të suksesshme nga ekonomitë e Ballkanit Perëndimor. Kompanitë i përkasin fushës në rritjen më të lartë të eksporteve, dixhitalizimit, mbrojtjes së mjedisit, furnizuesit të suksesshëm në zinxhirin rajonal, inovacionit dhe investimeve.
Kryetari i OEK, Rafuna, në cilësinë e Kryesuesit të Bordit të Forumit Investiv të Odave të Ballkanit Perëndimor, sot gjatë ditës është pritur nga Presidenti i Republikës së Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski.