TË FUNDIT

Kurti kontradiktor në RTK – konfirmoi Asociacionin, por kritikoi analistët që e kërkojnë në marrëveshje: S’është aty!

Kurti kontradiktor në RTK – konfirmoi Asociacionin, por kritikoi analistët që e kërkojnë në marrëveshje: S’është aty!

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, sonte regjistroi një nga paraqitjet e rralla në mediat vendore, ani pse sërish për mediumin publik.

Megjithëse paraqitja kishte për bazë dyvjetorin e fillimit të qeverisjes, intervista u përqendrua më shumë në atë se çfarë u diskutua katër ditë më parë në Ohër të Maqedonisë Veriore, ku u zhvillua takimi i nivelit të lartë, përcjell lajmi.net.

Por, është interesant fakti se brenda së njëjtës intervistë, Kurti u tregua edhe kontradiktor.

Fillimisht, në pyetjen e gazetares ai pranoi ekzistencën e Asociacionit, me këtë të fundit që gjendet në bërthamën e pikës 10, aty ku precizohet fakti se palët obligohen t’i respektojnë marrëveshjet e së kaluarës.

Në anën tjetër, në të njëjtën intervistë ai hodhi kritika ndaj disa analistëve duke thënë se në vend që ta ndihmojnë atë në ofansivën karshi Serbisë, po tentojnë ta gjejnë termin Asociacion, që s’është askund në marrëveshje.

Ça ka, ça s’ka?

Nëse ka apo s’ka Asociacion, tashmë është konfirmuar nga vet shefi i ekzekutivit. Madje, se është në gjendje ta krijojë një të tillë, e tha edhe publikisht.

Fillimisht, ditë më parë, përmes një cicërime pohoi faktin se i kishte propozuar Vuçiqit një Asociacion që do të bazohej në tri shtylla, ndërsa sonte deklaroi që një Draft do të ishte në gjendje t’ia krijonte edhe mëngjesin e 19 marsit, por Vuçiqi refuzoi.

“Unë u tregova kreativ. Propozova një Draft që do të bazohej në tri shtylla. Do ta krijonte ekipi im. Madje, do t’ua bëja gati mëngjesin e së nesërmes. Thanë jo, çka t’i bëj”, vazhdoi Kurti.

Gjithashtu, Kurti kërkoi nga ndërkombëtarët, përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të dënojë sjelljen destruktive të Serbisë.

“Unë pres nga ndërkombëtarët që të dënojnë sjelljen destruktive të Serbisë, sepse ka dhënë indikacione që nuk do ta zbatojë marrëveshjen e arritur në parim”, tha fillimisht ai.

Tutje, shefi i ekzekutivit kosovar lavdëroi veten duke e etiektuar si e vetmja palë që ka propozuar zgjidhje e modele, por në momentin që bëhej kreativ, aq më shumë rritej rezistenca.

“Jam e vetmja palë që ka propozuar zgjidhje e modele. Sa më shumë kreativ që bëhesha, aq më shumë rritej rezistenca e palës tjetër. Sepse edhe ata e dinë, e edhe unë e di që është njohje “de facto””.

Kritika

Pas paraqitjes së Kurtit në RTK, filluan edhe kritikat. Pararendësi i Kurtit, Avdullah Hoti pyeti me ironi nëse paska Asociacion, teksa udhëheqësit e tanishëm i apostroi si të pabesë.

Më pas, opinionisti Imer Mushkolaj tha se sipas asaj që deklaroi Kurti, ka Asociacion e s’ka “Zajednicë”. Kuptohet, duke ironizuar edhe me dy emotikonë moskuptimi.

Jo vetëm opionistë e kundërshtarë politikë. Edhe aktivisti Rron Gjinovci, që njihet si mbështetës i tij, kritikoi Kurtin për këtë paraqitje.

Drejtori i ORCA-s, përmes “Facebook-ut” këtë performancë të kryeministrit e cilësoi si të tmerrshme.

Kujtojmë ndërkaq faktin se me datën 25 të këtij muaji, është organizuar një protestë kundër Kurtit dhe marrëveshjes së arritur në Ohër.

Sa i përket marrëveshjes së 18 marsit, duhet përmendur faktin se ajo nuk u nënshkrua, por për të kishte marrëveshje në parim./Lajmi.net

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *