“Qerrja para kalit” – Lajçak ia ‘vjedh’ shprehjen Kurtit, jep një mesazh tjetër përmes saj
“Qerrja para kalit” – Lajçak ia ‘vjedh’ shprehjen Kurtit, jep një mesazh tjetër përmes saj
Emisari i BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak e ka përdorur një shprehje të kryeministrit Kurti kur është pyetur për marrëveshjen e arritur në Ohër më 18 mars.
Nga REL, Lajçakut i është kërkuar një koment për deklaratat e ardhura nga Beogradi se nuk do t’i zbatojnë pikat e marrëveshjeve që “shkelin vijat e kuqe të Serbisë”, dhe për faktin nëse kjo ujdi është ligjërisht e obligueshme, shkruan lajmi.net.
Në përgjigjen e Lajçak, bie në sy një fjali e tij.
“Përgjigja për pyetjen tuaj të dytë është po. Nëse e lexoni marrëveshjen, nëse e lexoni aneksin, e thonë mjaft qartë se palët janë zotuar, dhe në të njëjtën kohë, ne nuk duhet ta nxjerrim qerren para kalit. Ne po fokusohemi që të nisim me çështjet që mund të kryhen nga Serbia dhe Kosova dhe cilat çështje mund të bëhen tani. Siç thashë, kjo do të ndikojë në shumë gjëra tjera”, thotë emisari i BE-së.
“Ne sërish po spekulojmë për diçka që nuk varet nga BE-ja, në Serbinë dhe Kosovën, ne vetëm mund të përcaktojmë se çfarë Kosova dhe Serbia duhet të bëjnë. Por, pse nuk po përqendrohemi në çështjet që janë plotësisht nën kontrollin tonë dhe në rrezen tonë të veprimit. Ne po shpërqendrojmë veten nga fokusimi në çështje që mund të kryhen dhe duhet të kryhen si çështje me prioritet. Dhe, neve nuk na duhet Këshilli i Sigurimit apo anëtaret e përhershme [të OKB-së] që kjo të zbatohet”, thotë ai.
Kryeministri Kurti, këtë shprehje e përdorte teksa përpiqej të shpjegonte se në Bruksel s’mund të flitet për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, para se të flitet për marrëveshjen finale në përgjithësi.
“Nuk mund ta nxjerrim qerren para kalit, së pari kali pastaj qerrja”, thoshte Kurti, teksa insistonte se kjo marrëveshje duhet të përfundojë me njohje reciproke. /Lajmi.net/