TË FUNDIT

Kuvaiti kërkon ekstradimin e Xhemajl Xhimi Sekiraqës, i dyshuar për grabitje

Kuvaiti kërkon ekstradimin e Xhemajl Xhimi Sekiraqës, i dyshuar për grabitje

Si shkak i një urdhërarresti ndërkombëtarë, Policia e Kosovës në fillim të muajit shkurt ka realizuar një operacion të gjerë nga ku është arrestuar një person i dyshimtë.

I arrestuar në këtë rast është Xhemajl Xhimi Sekiraça, i njohur në publik edhe si bashkëshorti i këngëtares Arta Bajrami.

I njëjti ishte në kërkim prej shumë kohës, për shkak të dyshimeve për veprën penale “Grabitje”.

Në lidhje me këtë Prokuroria Themelore në Prishtinë kishte vendosur masën e ndalimit prej 48 orësh.

Pas kësaj, Gjykata Themelore në Prishtinë- Departamenti për Krime të Rënda, pati marr vendim për caktimin e masës së arrestit shtëpiak prej një muaji ndaj të pandehurit.

“Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti për Krime të Rënda ka pranuar kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit – të kërkuarit për ekstradim Xhemajl Sekiraqës. Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti për Krime të Rënda, ka caktuar masën e arrestit shtëpiak në kohëzgjatje prej një (1) muaji. Kundër këtij aktvendimi, palët kanë të drejtë ankese në afat prej 24 orësh, drejtuar Gjykatës së Apelit”,u tha në përgjigjen e gjykatës.

Ndërsa sot zëdhënësja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Mirlinda Gashi ka konfirmuar për lajmi.net se i lartcekurit, Xhemajl Sekiraqa është duke u kërkuar të ekstradohet.

Ajo njoftoi se kundër të pandehurit është kërkuar ekstradim nga shteti i Kuvajtit, për shkak të veprës penale “Grabitje”.

“Kundër të pandehurit XH.S kërkohet ekstradim nga shteti i Kuvajtit, për shkak të veprës penale Grabitje sipas legjislacionit penal të Kuvajtit”, u tha nga Gjykata.

Gjithashtu u theksua se i pandehuri ka qëndruar një muaj në masën e arrestit shtëpiak, ndërsa tani i është caktuar masa e paraqitjes në stacion policor.

“Duke ju referuar kërkesës tuaj për informata, ju njoftojmë se në me çështjen penale për ndihmë juridike ndërkombëtare kundër të pandehurit XH.S, i njëjti ka qëndruar një muaj në masën e Arrestit Shtëpiak, tani i është caktuar masa e paraqitjes në Stacion Policor. Kundër këtij aktvendimi është paraqitur ankesë për Gjykatën e Apelit”.

Në lidhje me arrestimin e tij si fillim ishte deklaruar edhe Policia e Kosovës, nga ku është thënë se operacioni i realizuar kishte rezultuar me kapjen e personit të kërkuar.

“Policia e Rajonit të Prishtinës po vijon punën e saj me qëllim kapjen e personave të implikuar në raste kriminale, veçmas ata të cilët janë dënuar me vendim gjykate si dhe janë shpallur në kërkim në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar. Në këtë drejtim veprimet operative të ndërmarra në funksion të angazhimit policor, dje kanë rezultuar me kapjen e të dyshuarit, të dënuar me dhjetë vite burgim. Operacioni u krye në orët e pasdites së djeshme, në rrugën “UÇK” në Prishtinë, me ç’rast u arrestua dhe u procedua më tej në përputhje me urdhër arrestin ndërkombëtar; -Xh. S, mashkull, 43 vjeç, shtetas i Republikës së Kosovës”, ishte theksuar në njoftimin e bërë nga Policia e Kosovës.

Duke u munduar që të ndryshojnë faktin e arrestimit të tij, bashkëshortja Arta Bajrami, por edhe vetë i dyshuari kanë publikuar fotografi nga shtëpia kinse i njëjti nuk ka të bëjë me këtë rast.

Madje të dy kanë kundërshtuar faktin se i njëjti ishte i dyshuar në kërkim, e që është arritur të arrestohet nga Policia e Kosovës.

“Nëse ekziston mundësia të më lini rehat në jetën time, mos t’ma cenoni privatësinë, unë jam njeri familjar, jam baba i tre fëmijëve dhe dua të ruaj privatësinë time. Kështu që krejt çka kam kërkuar është t’më lini rehat me fantazitë e rrenat që i dëgjoni në kafe, përndryshe detyrohem të ndjek rrugët ligjore kundër mediave që shpërndajnë dezinformata, thashetheme për klikime, për interesa të tyre. Për rastin që është bërë bujë në media, unë nuk kam lidhje fare, është dezinformatë”, ka thënë Xhemajl Sekiraqa.

Ai ka thënë se nuk është hera e parë që në media është raportuar rreth burgosjes së tij, derisa ka thënë se nëse vazhdohet kështu, do të padis personalisht mediat të cilat raportojnë “dezinformata” rreth tij dhe jetës së tij.

“Kohë kualitative me familjen. Bashkë dhe të lumtur! Data: 05.02.2023”,shkroi edhe vetë këngëtarja Arta Bajrami.

Duhet përkujtuar që në aludimet e para të bëra në lidhje me këtë rast, theksohej se i njëjti dyshohet për grabitje të gjërave tejet të shtrenjta e si pasojë ishte edhe në kërkim të vazhdueshëm nga autoritetet e hetuesisë./Lajmi.net/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *