TË FUNDIT

Konjufca pas takimit me Escobar: Kosova është e përkushtuar për fqinjësi të mirë, paqe dhe stabilitet në rajon

Konjufca pas takimit me Escobar: Kosova është e përkushtuar për fqinjësi të mirë, paqe dhe stabilitet në rajon

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka pritur në takim emisarin special të SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

Përmes një postimi në Facebook, Konjufca ka bërë të ditur se me Escobar ka diskutuar për zhvillimet aktuale politike në vend, rajon dhe më gjerë, shkruan lajmi.net.

Ai ka thënë se kanë diskutuar edhe për procesin e dialogut dhe hapat e mëtejmë, me fokus të veçantë propozimin e BE-së për normalizim të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

“Republika e Kosovës është e përkushtuar për fqinjësi të mirë, paqe dhe stabilitet në rajon. Gjithashtu, për dallim nga Serbia si palë minuese, Republika e Kosovës ka luajtur rol konstruktiv përgjatë gjithë procesit të dialogut, përfshirë edhe takimin e 27 shkurtit në Bruksel. Ritheksova se asnjëherë nuk do ta humbim fokusin nga njohja e plotë, dhe se çfarëdo marrëveshje që mund të arrihet në procesin e dialogut me Serbinë duhet të respektojë në plotni sovranitetin, integritetin territorial dhe rendin kushtetues të Republikës së Kosovës”, ka thënë Konjufca.

Ai ka bërë të ditur se ka falënderuar emisarin Escobar për angazhimin dhe rolin e pazëvendësueshëm të SHBA-së në procesin e dialogut, si dhe ka bërë të ditur që ka shprehur gatishmëri për fuqizimin e mëtutjeshëm të partneritetit të ndërsjell dhe avancimin e marrëdhënieve të shkëlqyera mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës. /Lajmi.net/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *