TË FUNDIT

Konjufca: Ja çfarë i thashë diplomatit amerikan Escobar

Kryeparlamentari i Kosovës, Glauk Konjufca sot ka pritur në takim Zëvendës Ndihmës Sekretarin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, njëherësh Përfaqësues Special për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

“Sot e mirëprita në takim Zëvendës Ndihmës Sekretarin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, njëherësh Përfaqësues Special për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, i cili shoqërohej nga Alyson Grunden, Zëvendës Shefe e Misionit të SHBA-së në Kosovë, Paul Pfeuffer, Këshilltar për Çështje Ballkanike në Departamentin e Shtetit dhe Greg Viola, zyrtar politik në Ambasadën Amerikane.

Diskutuam për zhvillimet aktuale politike në vend, rajon dhe më gjerë, procesin e dialogut dhe hapat e mëtejmë, me fokus të veçantë propozimin e BE-së për normalizim të marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë.

Republika e Kosovës është e përkushtuar për fqinjësi të mirë, paqe dhe stabilitet në rajon. Gjithashtu, për dallim nga Serbia si palë minuese, Republika e Kosovës ka luajtur rol konstruktiv përgjatë gjithë procesit të dialogut, përfshirë edhe takimin e 27 shkurtit në Bruksel.

Ritheksova se asnjëherë nuk do ta humbim fokusin nga njohja e plotë, dhe se çfarëdo marrëveshje që mund të arrihet në procesin e dialogut me Serbinë duhet të respektojë në plotni sovranitetin, integritetin territorial dhe rendin kushtetues të Republikës së Kosovës.

E falënderova emisarin Escobar për angazhimin dhe rolin e pazëvendësueshëm të SHBA-së në procesin e dialogut dhe shpreha gatishmërinë për fuqizimin e mëtutjeshëm të partneritetit të ndërsjellë, si dhe avancimin e marrëdhënieve të shkëlqyera ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, është shprehur Konjufca. (INA)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *