TË FUNDIT

Dalin detaje: Kurti ia hap temën e vizave Presidentes së PE-së, flasin edhe për planin evropian

Dalin detaje: Kurti ia hap temën e vizave Presidentes së PE-së, flasin edhe për planin evropian

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, në Strasburg u mirëprit nga Presidentja e Parlamentit Evropian, Roberta Metsola, e shoqëruar nga Sekretari i përgjithshëm i Parlamentit Evropian, Alessandro Chiocchetti dhe stafi i saj.

Këtë të ditur e bëri Qeveria në një komunikatë për media, shkruan lajmi.net.

“Bashkë me kryeministrin Kurti, në këtë takim ishin Ambasadori i Kosovës në Bruksel, Agron Bajrami, deputetja e Kuvendit të Republikës, njëherish drejtuesja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes VETËVENDOSJE, Mimoza Kusari Lila dhe zëvendësministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Kreshnik Ahmeti”, bën me dije Qeveria.

Qeveria tha se me Presidenten Metsola, u diskutua kryesisht për raportin dhe marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian, aplikimin e Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian, konkludimin e procesit të liberalizimit të vizave dhe nivelin e zbatueshmërisë së marrëveshjes për Stabilizim-Asociimin.

Tutje, Zyra e Kryeministrit, tha se Kurti falënderoi Parlamentin Evropian për mbështetjen e aplikimit të Kosovës në BE dhe në Këshillin e Evropës, krahas asaj për liberalizimin e vizave.

“Duke qenë në prag të dyvjetorit të Qeverisë, kryeministri Kurti e njoftoi Presidenten Metsola për arritjet e sukseset e deritanishme dhe planet për gjysmën e dytë të mandatit. Theks iu dha përmirësimeve në sundimin e ligjit, luftimit të korrupsionit dhe indikatorëve demokratikë, por edhe trendit pozitiv të indikatorëve ekonomikë të dy viteve të fundit. Ndër të tjera, këtu kryeministri Kurti përmendi edhe Raportin e Vendit të BE-së për vitin 2022, më i miri për Kosovën ndonjëherë, në të cilin evidentohet progresi i Kosovës në shumë fusha”, thuhet tutje në njoftim.

Në takim u fol edhe për Strategjinë e Energjisë 2022-2031, e miratuar javën e kaluar në Kuvend, dhe për qasjen e planet e Qeverisë për investime në energji të ripërtritshme. Bashkimi Evropian i ka dhënë Kosovës mbështetje të vazhdueshme në këtë sektor, përfshirë këtu pakon mbështetëse në përballje me krizën energjetike në vlerë prej 75 milionë euro, të shkaktuar nga agresioni ushtarak rus në Ukrainë.

Gjithashtu, u diskutua edhe për propozimin Evropian, të mbështetur nga Gjermania, Franca, Italia dhe Shtetet e Bashkuara dhe për takimin e radhës të nivelit të lartë politik që do të mbahet këtë fundjavë në Ohër të Maqedonisë së Veriut. /Lajmi.net/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *