Shumë falsifikime gjatë aplikimit për viza, policia ka një apel për qytetarët
Shumë falsifikime gjatë aplikimit për viza, policia ka një apel për qytetarët
Policia e Kosovës, ka apeluar qytetarët që të mos bien pre e personave të pandërgjegjshëm dhe të marrin mbi vete përgjegjësinë e prezantimit të dokumenteve të falsifikuara tek institucionet përkatëse, gjë që bie ndesh me ligjin. Kjo pasi ky institucion i sigurisë ka pranuar një numër të konsiderueshëm të lëndëve për hetim të dërguara nga Ambasadat në Kosovë, që ndërlidhen me veprimet e qytetarëve gjatë aplikimit për pajisje me viza, me dokumente të falsifikuara, thuhet në një komunikatë për media.
Bëhet e ditur se dokumentet e falsifikuara më së shpeshti janë certifikata e gjuhës gjermane, dokumenti i Trustit – kursimeve pensionale si dhe, dokumenti – pasqyrës bankare.
“Referuar kësaj, Policia e Kosovës apelon tek të gjithë qytetarët që të mos bien pre e personave të pandërgjegjshëm dhe të marrin mbi vete përgjegjësinë e prezantimit të dokumenteve të falsifikuara tek institucionet përkatëse, pasi që në këtë mënyrë bien ndesh me ligjin dhe kryejnë vepër penale për të cilën do të japin përgjegjësi para organeve të drejtësisë”, apelon Policia.
Sipas Policisë së Kosovës, identifikimi i dokumenteve të tilla është lehtë i zbatueshëm dhe se asnjë person me dokumente të tilla nuk mund të kalojë në asnjë ambasadë.
“Si pasojë personat të cilët bëjnë një shkelje të tillë bartin me vete pasojat si:
Regjistrohen në ambasada se të njëjtit kanë aplikuar me dokument të falsifikuar dhe mund të kenë pasoja në të ardhmen për udhëtime jashtë vendit dhe
Pasojat ligjore të cilat parashihen me Kod Penal për falsifikim të dokumentit”, thuhet në komunikatë. /Lajmi.net/