TË FUNDIT

Kurti i gatshëm të nënshkruajë marrëveshjen me Serbinë në takimin e 18 marsit

I dërguari i BE-së, për dialogun Kosovë-Serbi Lajçak ka shprehur shpresën, se Kosova dhe Serbia do të pajtohen në takimin e radhës më 18 mars për zbatimin e planit evropian për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre.

I dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, tha se janë përmbushur pritjet e tij në takimet që pati në Prishtinë me dy udhëheqësit e institucioneve të Kosovës, presidenten Vjosa Osmani dhe kryeministrin Albin Kurti. Ai shfaqi shpresën se “Kosova dhe Serbia të pajtohen në takimin e radhës për zbatimin e planit evropian për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre”. Takimi ndërmjet kryeministrit të Kosovës Albin Kurti dhe Presidentit të Serbisë mbahet me 18 mars në Ohër të Maqedonisë së Veriut, nën ndërmjetësimin e shefit të diplomacisë evropiane Jossep Borrel. Më 27 shkurt kryeministri Kurti dhe Presidenti Vuçiq, i thanë po propozimit të BE-së të mbështetur edhe nga Shtetet e Bashkuara, por nuk pati nënshkrim të dokumentit, për shkak të mospajtimeve për zbatimin e tij.

Lajçak – optimist pas takimeve në Prishtinë

“Që të bëhet dokument ligjërisht i detyrueshëm duhet të pajtohemi se si të zbatohet. Duhet të dimë cilët janë hapat, ritmi dhe afatet kohore, në të kundërtën do të jetë vetëm marrëveshje politike dhe jo formale”, tha Mirosllav Lajçak, pas takimit me Kurtin. Ai i cilësoi diskutimet në Prishtinë “konstruktive, të rëndësishme dhe shumë të dobishme” dhe tha se “BE-ja është e përqendruar në atë që ai e quajti ‘hap i dytë’ që ka të bëjë me finalizimin e planit të zbatimit, që kur të përfundohet, do të kalohet në hapin e radhës, që është formalizimi.

Kurti pret që 18 marsi të jetë një ditë të suksesshme për demokracinë në Evropë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti nga ana e tij është shprehur i gatshëm ta nënshkruajë Marrëveshjen për normalizimin e raporteve me Serbinë, gjatë takimit që do të mbahet më 18 mars në Ohër të Maqedonisë së Veriut. “Kurti shprehu pritshmërinë e tij që Bashkimi Evropian të punojë në drejtim të përmbylljes së suksesshme të procesit të Marrëveshjes për normalizim përmes nënshkrimit zyrtar të saj në takimin e radhës”, thuhet në një njoftim të lëshuar nga Zyra e kryeministrit. Kurti thotë se “e ka konfirmuar qasjen e hapur dhe konstruktive për negociimin e aneksit të propozimit të BE-së për Marrëveshjen Themelore. Besoj se BE-ja mund të kontribuojë për ta bërë 18 marsin një ditë të suksesshme për demokracinë në Evropë dhe sigurinë në rajon”, shkroi më pas Kurti në rrjetet sociale.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e cila po ashtu takoi ndërmjetësin Lajçak u shpreh pas takimit, se “aneksi i zbatimit të marrëveshjes bazë, të dakorduar në Bruksel, duhet të jetë në frymën e parimeve të miratuara në Kuvendin e Republikës së Kosovës, gjegjësisht, paprekshmërisë së sovranitetit, integritetit territorial, kushtetutshmërisë dhe funksionalitetit të shtetit të Kosovës”.

Lajçak në Beograd

I dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi Mirosllav Lajçak, pas Prishtinës udhëton për në Beograd për takime me Presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Ky i fundit i përsëriti qëndrimet se “Serbia nuk do të pajtohet e as nuk do të qëndrojë e heshtur lidhur me anëtarësimin eventual të Kosovës në Kombet e Bashkuara si dhe nuk do ta njohë pavarësinë e Kosovës”.

“Nuk më shkon në mendje ta nënshkruaj kapitullimin e Serbisë”, tha Vuçiq gjatë një interviste në televizionin Happy të Serbisë. Këtë qëndrim tha Vuçiq “ua ka shprehur ndërmjetësve ndërkombëtarë të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë”. Vuçiq tha se me të dërguari evropian për dialogun, Mirosllav Lajçak, që do të qëndrojë në Beograd më 13 dhe 14 mars, “do të tentojë të gjejë rrugën përpara drejt normalizimit të raporteve me Kosovën”.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës ndërkaq, kanë deklaruar se marrëveshja mbi udhërrëfyesin e zbatimit të planit evropian është thelbësore për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi. “Përparimi drejt themelimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, është thelbësor për ndërtimin e së ardhmes së Kosovës. Përparimi do t’i hapë dyert drejt integrimit evropian për të dyja shtetet dhe është thelbësor për më shumë siguri, qëndrueshmëri dhe përparim në Ballkanin Perëndimor. Ne besojmë se marrëdhëniet e normalizuara në fund duhet të kenë në qendër njohjen e ndërsjellë”, tha gjatë në konference për medie zëdhënësi i departamentit amerikan të shtetit, Ned Price.

Sipas përfaqësuesve të Bashkimit Evropian, Kosova dhe Serbia duhet ta nënshkruajnë si një dokument të pandarë, Propozimin Evropian, Marrëveshjen drejt normalizimit mes Kosovës dhe Serbisë dhe aneksin ose planin e zbatimit për të cilin po punohet. Propozimi evropian, një dokument prej 11 nenesh, ndër të tjera vëren se palët duhet të respektojnë pavarësinë, sovranitetin dhe integritetin territorial të njëra-tjetrës dhe po ashtu përfshin zotimin e palëve për t’i respektuar të gjitha marrëveshjet e arritura deri më tani. Në këto marrëveshje përfshihet edhe Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *