TË FUNDIT

Lista Serbe: Nuk do të marrim pjesë në zgjedhjet e jashtëzakonshme në komunat e veriut të Kosovës

Lista Serbe: Nuk do të marrim pjesë në zgjedhjet e jashtëzakonshme në komunat e veriut të Kosovës

Lista Serbe ka bërë të ditur se nuk do të marrë pjesë në zgjedhjet e jashtëzakonshme në komunat e veriut të Kosovës.

Këto zgjedhje do të mbahen në muajin prill, ndërsa nga Lista Serbe kanë deklaruar se nuk do të marrin pjesë për shkak se “nuk janë plotësuar kërkesat që kanë bërë që ata të largohen nga institucionet e Kosovës”.

Lista Serbe ka njoftuar se Komisioni Qendror Zgjedhor i ka dërguar njoftim partive të tyre politike se nga data 9 deri më 18 mars është afati i fundit për regjistrim partiak për pjesëmarrje në zgjedhjet e jashtëzakonshme në komunat në veri të vendit.

Sipas tyre, përpos që nuk do të marrin pjesë në këto zgjedhje të jashtëzakonshme për shkak se nuk janë plotësuar kërkesat të cilat “çuan” deri tek largimi i tyre nga institucionet e Kosovës, nuk do të marrin pjesë në asnjë palë zgjedhje derisa të plotësohen kërkesat e tyre legjitime, transmeton lajmi.net.

“Kjo e bën më se të qartë se Kosova dhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve po përpiqen që në mënyrë të njëanshme të organizojnë zgjedhje në veri të Kosovës, pa respektuar interesat legjitime të popullit serb, kundër vullnetit të qytetarëve”, u tha ndër të tjerash në deklarimin e Listës Serbe.

Ndryshe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka filluar zyrtarisht procesin për organizimin e zgjedhjeve të jashtëzakonshme të 23 prillit për kryetar të katër komunave (Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok) dhe të zgjedhjeve të parakohshme për dy kuvendet komunale (Zveçan dhe Leposaviq).

Këto zgjedhje planifikoheshin të mbaheshin më 18 dhe 25 dhjetor të vitit të kaluar, por u shtynë nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, për shkak të situatës së paqëndrueshme të sigurisë në atë pjesë të Kosovës.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi ka thënë se KQZ-ja ka vendosur të gjitha afatet e aktiviteteve për organizimin e këtyre zgjedhjeve.“

“Duke filluar nga sot, 9 mars, fillojnë afatet e aktiviteteve për organizimin e zgjedhjeve të jashtëzakonshme për kryetar të katër komunave: Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok dhe zgjedhjeve të parakohshme për kuvendet komunale të dy komunave: Zveçan dhe Leposaviq. Të gjitha këto aktivitete i referohen afatit prej 45 ditësh, pra nga sot deri në ditën e zgjedhjeve”, tha Elezi./Lajmi.net/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *