TË FUNDIT

Policia me aksion kundër fajdeve në Prishtinë, Ferizaj, Mitrovicë dhe Gjilan

Policia me aksion kundër fajdeve në Prishtinë, Ferizaj, Mitrovicë dhe Gjilan

Policia e Kosovës, saktësisht Njësitë e Specializuara janë duke realizuar një operacion policor që në orët e para të mëngjesit.

Aksioni në fjalë është vazhdimësi i rastit të njohur si “Brezovica”.

Në një përgjigje për lajmi.net, zëdhënësi i Policisë së Kosovës Baki Kelani ka konfirmuar rastin duke dhënë detaje shtesë.

Ai njoftoi se në orët e hershme të mëngjesit, Policia në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë ka filluar realizimin e një operacion policor i cili përfshin disa lokacione në katër rajone: Prishtinë, Ferizaj, Mitrovicë e Jugut dhe Gjilan.

Po ashtu është bërë e ditur se operacioni ka të bëjë me hetimet dhe luftën kundër fajdeve.

“Operacioni policor ka të bëjë me hetimet dhe luftën kundër fenomenit të fajdeve, ku për informacione dhe detaje shtesë do të njoftoheni pas operacionit policor”,tha Kelani.

Ndryshe operacioni është konfirmuar edhe nga prokurori Rasim Maloku.

“Është duke u zhvilluar një aksion. Ka rrjedhë prej rastit “Brezovica”. Ka të bëjë me fajde”, tha shkurtimisht Maloku.

Duhet përkujtuar që disa operacione radhazi janë kryer nga Policia e Kosovës në bashkëpunim me prokurorinë në lidhje me hetimet që po bëhen në kuadër të rastit “Brezovica”./Lajmi.net/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *