TË FUNDIT

Mungesa e stafit në Gjykatën Themelore në veri mbetet ende sfidë

Mungesa e stafit në Gjykatën Themelore në veri mbetet ende sfidë

Gjykata Themelore në Mitrovicën e Veriut, po vazhdon të sfidohet nga mungesa e stafit, pas dorëheqjeve të serbëve muaj më parë.

Nga dorëheqjet e gjyqtarëve dhe stafit administrativ në gjykatën themelore në Mitrovicën e veriut, po punohet me staf të reduktuar, seancat po mbahen por vetëm në disa raste.

Avokati Bledar Gashi thotë se seancat të cilat janë tek gjyqtarët shqiptarë po mbahen rregullisht, por që seancat tjera, përpos atyre të masës së paraburgimit, nuk po realizohen.

” Është pak problem sepse ka një staf të reduktuar, kur dorëzojmë shkresat tona po vonojnë derisa shkojnë në gjykatën e apelit, por megjithatë po punojnë por me një staf shumë të reduktuar”, ka thënë Gashi.

Ndërsa Këshilli gjyqësor i Kosovës, në një përgjigje për RTK-në, ka thënë se pavarësisht mungesës së stafit në këtë gjykatë, po funksionon normalisht por me vështirësi për shkak numrit më të vogël të resurseve. Ndërsa për numrin e lëndëve, ata thonë se do të bëjnë analizë dhe sipas nevojës do të veprojnë

Pavarësisht vështirësive që ka Gjykata Themelore në Mitrovicë me degët e saj, mungesa e pozitave të gjyqtarëve dhe stafit administrativ dhe profesional të cilët kanë ofruar dorëheqjet, gjykata është duke funksionuar me angazhim të plotë në mënyrë që të tejkalohen vështirësitë, por nuk mund të jetë në nivelin e pritshmërisë për qytetarët. Numri i lëndëve të bartura nga Gjykata Themelore në Mitrovicë në gjykatat themelore, është gjithsejtë, tetëdhjetë e tri (83) lëndë.

Fakti i mungesës së 130 zyrtarëve, si nga gjyqtarët, ashtu edhe nga stafi administrativ që i përkasin Gj.Th Mitrovicë me degët e saj, në Leposaviq dhe Zubin Potok, krijon vështirësi, por është shumë e rëndësishme të theksohet, se gjykata edhe pse me numër të zvogëluar të resurseve njerëzore, prapë është në ofrimin e shërbimeve të qytetarëve brenda kapaciteteve të saj.

Për këtë temë, gjatë ditës në Mitrovicën e Veriut u mbajt një diskutim publik i organizuar nga Qendra Avokuese për Kulturë Demokratike.

Dushan Radakoviq nga kjo qendër, tha se pritet që më 20 mars të ketë një kthim të të dorë hequrve, ndërsa një pjesë tjetër pritet të kthehen në qershor.

Ndërsa avokatë serbë u ankuan se po përballen me vështirësi për shkak të stërzgjatjes së lëndëve derisa thanë se qytetarët s’po kanë mundësi të marrin shërbime.

Nebojsha Vlajiç avokat ka thënë se qytetarëve po ua vështirëson jetën braktisja e institucioneve.

“Ne jemi kthyer në situatën e para riintegrimit, në një mjedis shumetnik duhet të jetë gjithçka shumetnike. Gjysma e gjyqtareve e kanë braktisur atë. Qytetarët nuk mund të kryejnë asnjë punë, si divorce apo vërtetime që nuk janë nën hetime”, ka shtuar Vlajiç.

Edhe serbët e kësaj ane presin që ky problem të zgjidhet në mënyrë që të përshpejtohet zgjidhja e lëndëve gjyqësore.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *