Andrej Plenkovic: Propozimi franko-gjerman do të çojë pothuajse në njohje “de facto”
Kryeministri i Kroacisë, Andrej Plenkovic në një debat të organizuar nga “Atlantic Council” ka folur për dialogun në mes të Kosovës dhe Serbisë dhe propozimin franko-gjerman, raporton Gazeta Express.
Ai ka thënë se është duke u bërë një përpjekje nga Franca dhe Gjermania por edhe nga shtetet e tjera të QUINT-it që të zvogëlohen tensionet dhe të shkohet drejt asaj që pothuajse do të jetë një njohje “de facto” e Kosovës nga Serbia.
Ai ka thënë se kjo është forma për të lëvizur përpara dhe për të hequr nga tavolina tema të cilat në vazhdimësi krijojnë tensione në veri të Kosovës.
“Nesër do të jetë 15 vjetori kur Kroacia njohu Kosovën, është kohë e gjatë. Ju e dini që pesë vende ende nuk e kanë njohur. Çfarë kemi parë nga përpjekjet e Francës dhe Gjermanisë dhe disa shtete të tjera që janë pjesë e QUINT, është një përpjekje për të lëvizur gjërat përpara për të zvogëluar tensionet dhe të bëhet përpjekje të shkohet drejt asaj që është pothuajse një njohje ‘de facto” e cila herët apo vonë do të jetë formalisht në tavolinë. Kjo është mënyra për të lëvizur përpara për të hequr nga tavolina çështje që nxisin disa tensione në veri të Kosovës”, ka thënë Plenkovic, raporton Express.
Ai ka thënë se në rajonin e Ballkanit Perëndimor duhet më shumë stabilitet dhe se tensionet do të ishin gjëja e fundit që Perëndimi do të donte.
“Unë besoj që ne si BE kemi nevojë për stabilitet në rajon. Kemi mjaftueshëm destabilitet nga agresion rus në Ukrainë. Duhet të jemi vigjilent dhe të kujdesshëm për stabilitetin në Ballkan. Sepse është gjëja e fundit që Perëndimi do të donte, një konflikt tjetër në rajon”, ka shtuar tutje kryeministri kroat.
Ai ka potencuar se nga kontaktet që ka pas me Prishtinën dhe Beogradin, ka përshtypjen se tashmë ka një qasje më pozitive për propozimin franko-gjerman se sa kur ishte prezantuar në fillim.
“Përshtypja ime është se ka më shumë sinjale pozitive për propozimin franko-gjerman se sa kur ishte publikuar në fillim. Kjo ëstë përshtypja që kam nga kontaktet me Beogradin dhe Prishtinë”, ka thënë kreu i Qeverisë së Kroacisë.