Kush janë njerëzit me maska që “po e mbrojnë Kosovën në Beograd”?
“Aksion patriotik në Beograd mes përkeqësimit të situatës në Kosovë”. Së bashku me këtë koment, grupi paraushtarak rus “Wagner” ndau në kanalin e tij Telegram një video të një proteste të qindra ultra të djathtëve në Beograd, shkruajnë mediat e huaja.
Siç u shpjegua në protestë, tubimi u mbajt mbrëmjen e 12 dhjetorit në shenjë “mbështetjeje për serbët” në Kosovë, të cilët ngritën barrikada dhe bllokuan rrugët në veri të atij vendi.
Këtë e kanë bërë pas arrestimit të ish-pjesëtarit të Policisë së Kosovës me nacionalitet serb, Dejan Pantiq, të cilin autoritetet kosovare e dyshojnë se ka marrë pjesë në incidentin në zyrat e KQZ-së në veri të Kosovës.
Pantiq ka qenë në paraburgim që atëherë.
“Rusët dhe serbët janë vëllezër përgjithmonë”, përfundon njoftimi i grupit “Wagner”, anëtarët e të cilit kanë luftuar në vijën e frontit në Ukrainë në anën e Rusisë që kur ky vend filloi një agresion më 24 shkurt.
Dhe lokalet e hapura së fundmi nga kjo organizatë paraushtarake në Shën Petersburg u vizituan në fund të nëntorit nga Damjan Knezheviq, lideri i grupit joformal ultra të djathtë “Narodna Patrola” nga Serbia, shkruan REL në gjuhën serbe.
Bëhet fjalë për Knezheviq që ishte në mesin e të pranishmëve në takimin në Beograd të hënën në mbrëmje.
Organizata e Knezheviqit përveç “Wagner”-it është e lidhur edhe me lëvizjen “RUSOV”, një grup tjetër i ekstremit të djathtë rus nga Rusia, anëtarët e të cilit marrin pjesë në agresionin në Ukrainë.
Andrej Rodionov, themeluesi i kësaj organizate, emri i plotë i së cilës është “Lëvizja Ndërkombëtare Bashkimi dhe Rilindja Ruso-Sllave – RUSOV”, në kanalin e tij Telegram ndër të tjera ka shkruar se “rusët do t’u vijnë në ndihmë vëllezërve të tyre serbë” në momentin kur “vërtet vjen koha që serbët ta kthejnë tokën e tyre të shenjtë të Kosovës”.
Në vitet e fundit, Rodionov vizitoi disa herë Serbinë, si dhe Maqedoninë e Veriut dhe Malin e Zi.
Që nga fillimi i luftës në Ukrainën lindore në vitin 2014, lëvizja e udhëhequr nga Rodionov ka mbështetur veprimet e separatistëve pro-rusë dhe “RUSOV” publikon pothuajse çdo ditë foto të ushtarëve që mbajnë emblemën e kësaj organizate në kanalin e tyre Telegram.
Pas vizitës në qendrën “Wagner” në Shën Petersburg, Damjan Knezheviq tha për Radion Evropa e Lirë në gjuhën serbe se qëllimi i vizitës së tij ishte “të sigurojë mbështetje në rast të një konflikti në Kosovë”.
Pas tensioneve të fundit në veri të Kosovës, ka folur edhe kryetari i partisë joparlamentare të Djathtës Serbe, Misha Vaciq.
Natën mes 11 dhe 12 dhjetorit, ai postoi një foto në Twitter ku shfaqej një grup personash të maskuar duke mbajtur një pankartë në qendër të Beogradit me mesazhin “Prisni, vëllezër, do të ‘zbresim’ së shpejti, që të mund të shohin përsëri se nga çfarë kanë frikë serbët”.
Vaçiq e ka shoqëruar foton me fjalët: “Beogradi sonte. Përveç kolegëve të mi nga e djathta serbe (nga 40 qytete), mësojmë se qindra të rinj janë të gatshëm të nisen për në Kosovë, menjëherë nëse fillon dhuna ndaj njerëzve në barrikada”.
Kujtojmë se edhe Vaçiq e mbështeti pushtimin rus të Ukrainës dhe si vëzhgues ndërkombëtar ndoqi referendumin për bashkimin me Rusinë, i cili u mbajt në shtator të vitit 2022 në rajonet e shkëputura dhe të pushtuara të Ukrainës.
Lidhjet e organizatave ruse ultra të djathtë me grupe ekstremiste nga Serbia, Mali i Zi dhe Bosnja e Hercegovina datojnë shumë vite më parë, kujton për REL, Hikmet Karçiq, bashkëpunëtor hulumtues i Institutit për Kërkimin e Krimeve Kundër Njerëzimit dhe të Drejtës Ndërkombëtare të Universitetit të Sarajevës.
“Është vetëm një nga format e politikës zyrtare të Rusisë ndaj Serbisë”, mendon Karçiq.
Ai kujton se organizatat dhe individët ekstremistë rusë ofruan mbështetje për njësitë serbe gjatë luftës në Bosnje dhe Hercegovinë nga 1992 deri në 1995.
Pra, mbështetja e grupit paramilitar “Wagner” dhe grupeve të tjera të ngjashme në këtë rast paraqet rrezik të madh”, paralajmëron Karçiq.
Nga ana tjetër, shton Karçiq, grupet ekstremiste lokale dhe vetë shteti i Serbisë i përdor si “instrumente parashtetërore” për “punë të pista” të ndryshme.