POLITIKA

Asnjë marrëveshje s’i ndalon njësitë speciale të shkojnë në veri

Asnjë dokument apo marrëveshje e arritur mes Kosovës dhe Serbisë në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve nuk ia ndalon Kosovës që t’i dërgojë apo vendosë njësitet speciale të policisë së saj në veri të vendit – zonë e banuar me shumicë serbe.

Kështu thonë në Ministrinë e Punëve të Brendshme të Kosovës, pas insistimit të vazhdueshëm të zyrtarëve serbë – përfshirë presidentin Aleksandar Vuçiq dhe kryeministren Ana Bërnabiq – se Kosova nuk ka të drejtë ta bëjë një gjë të tillë, në bazë të Marrëveshjes së Brukselit të vitit 2013.

“Qëllimi i Vuçiqit është që, përmes dezinformimit, të shkaktojë konfuzion dhe pasiguri te qytetarët serbë në Kosovë. Nuk ka asnjë marrëveshje, asnjë dokument apo dakordim për atë që thotë Vuçiq, që Njësia Speciale [e Policisë së Kosovës] nuk mund të shkojë në veri të vendit”, thotë për Radion Evropa e Lirë Nora Fetoshi, këshilltare për media e ministrit të Brendshëm të Kosovës, Xhelal Sveçla.

Në disa raste, autoritetet në Serbi kanë deklaruar se institucionet e Kosovës nuk kanë të drejtë të dërgojnë forca speciale të policisë në komunat veriore: Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq, por nuk kanë specifikuar se në cilin nen apo dispozitë të Marrëveshjes së Brukselit thirren.

Ngjashëm kanë pohuar edhe ditëve të fundit, kur situata e sigurisë në veri ka shkuar duke u tensionuar.

Aktualisht, në këtë pjesë të Kosovës – ku funksionojnë edhe struktura paralele të Serbisë – disa serbë lokalë kanë ngritur barrikada për të kundërshtuar arrestimin e një ish-polici serb.

Policia e Kosovës ka arrestuar Dejan Pantiqin më 10 dhjetor, nën dyshimet për përfshirje në një sulm kundër zyrtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në veri.

Për shkak të situatës së tensionuar, Policia e Kosovës ka rritur praninë në këtë zonë. Autoritetet e Kosovës kanë mohuar se atje janë dërguar njësi speciale, siç kanë pretenduar disa zyrtarë serbë dhe media serbe.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *