POLITIKA

Kriza në Veri: Kurti pret përsëri sot në zyrë Escobar, i bashkëngjitet edhe Lajcak

Zyra e Kryeministrit ka njoftuar se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti do të takohet sot pasdite me emisarin e BE’së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajcak dhe të dërguarin e posaçëm të SHBA’së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, transmeton Gazeta Metro.

Siç bëhet e ditur në njoftimin e Qeverisë mediat mund të marrin pamje në oborrin e ndërtesës së Qeverisë nga ora 17:30.

Duhet theksuar se, gjatë ditës së djeshme Escobar ka zhvilluar takime ndarazi me Kurtin dhe presidenten, Vjosa Osmani, ndërsa nuk ka pasur konferencë për media.

Diplomati amerikan pas takimit me Kurtin tha vetëm se kjo ishte një vizitë rutinë në Prishtinë, derisa i pyetur për situatën në veri të Kosovës tha se për këtë nuk mund të komentojë.

Në anën tjetër, situata në komunat veriore të Kosovës kohëve të fundit është tensionuar mjaft shumë, pasi disa serbë lokalë atje kanë ngritur dhe kanë bllokuar rrugët që çojnë drejt pikave kufitare me Serbinë, Jarinjë dhe Bërnjak.

Këto veprime i ndërmorën pasi policia e Kosovës arrestoi ish-policin, Dejan Pantic, nën dyshimet për përfshirje në sulme kundër KQZ’së në veri të Kosovës, ndërsa dje u bë e ditur se Gjykata Themelore në Prishtinë ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore për caktimin e masës së paraburgimit ndaj Pantic.

Gjithashtu është konfirmuar nga policia e Kosovës se ditëve të fundit kanë shkëmbyer zjarr me ”grupet kriminale serbe” dhe janë sulmuar me shok-bomba.

Ndryshe, presidenti i Serbisë, Aleksander Vucic ka thënë se autoritetet serbe do të bëjnë kërkesë te misioni i NATO’s në Kosovë, KFOR, që në përputhje me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB’së, të sigurojë vendosjen e pjesëtarëve të ushtrisë dhe policisë serbe në territorin e Kosovës. /gazetametro.net

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *