POLITIKATË FUNDIT

Buxheti i Ministrisë së Arsimit në vitin 2023 do të jetë 450 milionë euro

Ministria e Arsimit dhe Shkencës në RMV

Në vitin 2023 mbi 450 milionë euro janë paraparë për financimin dhe zhvillimin e arsimit dhe shkencës. Që është 8,4% më shumë se mjetet buxhetore që do të shpenzohen deri në fund të këtij viti. Këtë e theksoi ministri i Arsimit dhe Shkencës Jeton Shaqiri në konferencën e sotme në Qeveri, ku është prezantuar dhe arsyetuar buxheti i Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës për vitin e ardhshëm. Shaqiri theksoi se mjetet janë të mjaftueshme për zgjerimin e ndryshimeve për integrimin e arsimit tonë në hapësirën arsimore evropiane, njofton Portalb.mk.

Pjesa më e madhe e buxhetit, zakonisht transferohet në njësitë e Vetëqeverisjes Vendore, për shkak të funksionimit të shkollave fillore dhe të mesme theksoi Shaqiri. Gjithsej 313 milionë euro do të transferohen në komuna, që është një rritje prej 12.1%, gjegjësisht për 34 milionë euro në raport me bllok dotacionet që po paguajmë këtë vit.

“Buxheti për paga në arsim do të jetë 68 milionë euro. Kjo është për 9,2%, gjegjësisht për 6 milionë euro më i lartë se në vitin 2022. Kjo rritje është për shkak të rritjes së pagave në disa baza – harmonizimi me pagën minimale, e cila këtë vit është rritur për 2.800 denarë, rritja e re e pritur e pagës minimale në vitin 2023, rritja e pagave në bazë të zbatimit të marrëveshjeve kolektive në arsimin fillor dhe të mesëm, negociatat mes Ministrisë së Arsimit dhe SASHK-ut përmes të cilëve u arrit marrëveshje për rritje prej 15%, si dhe për shkak të rritjes së pagave në arsimin e lartë sipas marrëveshjes së nënshkruar kolektive”, tha Shaqiri.

Shaqiri tha se këtë do të fillojë ndërtimi i objektit për nevojat e Universitetit “Nënë Tereza” në Shkup, do të vazhdojë ndërtimi i objekteve të Fakultetit të Shkencave Informatike dhe Inxhinierisë Kompjuterike si dhe Fakultetit të Kulturës Fizike në Shkup. Do të ndërtohet objekt i ri për Gjimnazin e Kumanovës “Sami Frashëri”.

“Do të fillojnë aktivitetet për rikonstruksionin e plotë të 9 konvikteve shtetërore të studentëve dhe brenda 30 muajve ato duhet të bëhen moderne dhe efikase energjetike. Në ndërkohë vazhdojmë me ndërtimin dhe rikonstruksionin e shkollave. Tashmë kemi bërë të ditur se do të nisë rikonstruksioni i 118 objekteve shkollore, ku fokusi është vënë në ndërtimin e tualeteve për nxënësit me vështirësi dhe vendosja e rampave hyrëse. Gjithashtu, vazhdon edhe realizimi i projektit për ndërtimin e 145 sallave sportive të shkollave, përmes të cilave në vitin 2023 do të nisë ndërtimi i 10 objekteve të reja sportive”, njoftoi ministri.

Për standardin e nxënësve dhe studentëve do të ndahen 19.5 milionë euro. Ato janë mjete për pagesën e bursave, participimin për konviktet për nxënës dhe studentë, si dhe për subvencione të tjera si subvencionimin e racionit për student, deri në muajin mars.

Në pjesën e shkencës, ministri potencoi se do të vazhdojnë të financojnë pjesëmarrjen në iniciativat evropiane dhe globale për të mbështetur shkencën, si Horizon Europa dhe programi CEPUS, ndërsa në ndërkohë do të shikojnë efektin e mbështetjes që është dhënë këtë vit për realizimin e projekteve shkencore dhe kërkimore që janë në interes të shtetit dhe qytetarëve dhe për modernizimin e burimeve laboratorike të institucioneve të arsimit të lartë, për të cilat, do të angazhohemi që të sigurojmë sa më shumë mjete për stimulim shtesë të asaj që është efektive.

S. B. Send an email 15:27, 12-12-2022

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *