Kërcënon Bërnabiq: Jemi afër vendimit për t’i dërguar 1 mijë ushtarë në Kosovë
Kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq, ka kërcënuar se Serbia do t’i kthejë 1 mijë ushtarë në Kosovë duke u thirrur në Rezolutën 1244 e cila përmban provizione të marrëveshjes së Rambujesë.
“Albin Kurti na ktheu të gjithëve jo në shekullin e 19-të, por në shekullin e 18-të. Çdo gjë që ai bën është një rrezik jo vetëm për serbët, por për shqiptarët dhe për mbarë Evropën. Kurti na solli në prag të luftës”, ka pretenduar Bërnabiq.
“Tani po shohim çdo ditë shkeljen e marrëveshjeve të Kumanovës dhe Brukselit. Jemi shumë afër që të kërkojmë kthimin e forcave serbe në Kosovë sipas rezolutës 1244”, ka shtuar ajo.
Kërcënimin kinse për të dërguar deri në 1 mijë pjesëtarë serbë nga institucionet e sigurisë për në Kosovë fillimisht e dha drejtori i të ashtuquajturës “Zyrë për Kosovën” në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviç.
“Vendi ynë do të marrë në konsideratë kthimin e 1 mijë pjesëtarëve të forcave tona për të cilat ne kemi të drejtë sipas Rezolutës 12/44. Presidenti i Serbisë ka përsëritur vazhdimisht se nuk do të lejojmë një tjetër ‘Stuhi’”, deklaroi ai.