POLITIKATË FUNDIT

“e-Shoqëri.mk”, në rast të dhunës kibernetike, të rinjtë duhet t’i drejtohen një të rrituri tek i cili kanë besim

Foto nga debati, burimi: Meta.mk
Foto nga debati, burimi: Meta.mk

Prindërit duhet t’i mësojnë fëmijët e tyre se deri ku është kufiri i privatësisë në botën fizike dhe në internet, ndërsa në të njëjtën kohë është e nevojshme të kërkohet një zgjidhje që do të mundësojë shërbime për mbështetje të të rinjve. Këto ishin konkluzionet kryesore nga debati i mbrëmshëm në Kinotekë, në të cilin morën pjesë nxënës të shkollave të mesme, e që u zhvillua pas shfaqjes së filmit “Motrat” të regjisores Dina Duma, shkruan Meta.mk.

Debatin, i cili ishte mjaft interesant dhe që i sfidoi të rinjtë në diskutim, e udhëhoqi gazetari Goshe Nikollov, ndërsa në pyetjet e të rinjve, krahas regjisores Duma, u përgjigj edhe Radmilla Zhivanoviq, psikologe e licencuar, psikoterapiste e akredituar evropiane dhe magjistre për komunikim. Andrew Brand, shef i programeve në Ambasadën Britanike në Shkup, e hapi manifestimin në Kinotekë me një video fjalim. Shfaqja e filmit dhe debati ishin pjesë e projektit “Lajme të besueshme për rini të aftësuar” që zbatohet nga Fondacioni Metamorfozis me mbështetjen e UK AID të Qeverisë Britanike dhe Ambasadës Britanike në Shkup.

Radmilla Zhivanoviq dhe Dina Duma. Foto: Meta.mk

Filmi “Motrat” trajton temë aktuale, gjegjësisht tregon se çfarë po ndodh me brezin e ri, përfshirë këtu dhunën mes bashkëmoshatarëve/kibernetike si pjesë e jetës të të rinjve. Duma tha se filmi bazohet në një ngjarje të vërtetë nga koha kur ajo ishte gjimnaziste. Historia e miqësisë së dy vajzave adoleshente të pandashme, e cila vihet në sprovë kur ato përfshihen në vrasjen aksidentale të një shoqeje të klasës, i bëri të rinjtë të parashtrojnë pyetjen se kujt t’i drejtohen nëse janë viktima të dhunës.

“Kur unë isha 15 vjeç, në shkollën time një nga shoqet e mia të klasës, me të cilin nuk shoqërohesha shumë, u filmua duke bërë seks me një djalë. Djali u shpall hero, ndërsa vajzës për ta mbrojtur veten i duhej të ndryshonte shkollën, pamjen e saj personale dhe në fund i duhej të largohej nga Maqedonia, sepse prindërit mendonin se kështu ishte më mirë për të”, shpjegoi Duma.

Ajo shpjegoi se në gjykimin e viktimës së dhunës një rol të madh kanë luajtur edhe mediat, përfshirë këtu edhe televizionet kombëtare, të cilat në vend që të dënonin aktin, publikuan videon dhe u bënë pjesë e valës së dhunës kibernetike.

Kjo ngjarje ishte frymëzimi për këtë regjisore të re që ta realizojë filmin “Motrat”. Kastigu ka zgjatur gjashtë muaj, kështu që ajo ka pasur mundësinë të hynte në botën e adoleshentëve dhe të kuptonte problemet e tyre.

Të rinjtë ishin pjesëmarrës aktiv në debatin për dhunën mes bashkëmoshatarëve që u zhvillua në Kinotekë.

Foto: Meta.mk

“Ne kemi përgjegjësi për këtë sepse nuk bëjmë asgjë si shoqëri. Duhet ta kuptojmë se ky brez ka lindur me internet. Ne, si më të rritur, nuk e dimë se nën çfarë presioni janë ata. Ne vijmë nga një sistem tjetër që është mbetje e ish-Jugosllavisë, një sistem më i rreptë. Dhe ky brez nuk ka asnjë pikë të përbashkët me atë sistem. Prandaj duhet ndryshuar ai qëndrim, mësuesit duhet të jenë më të hapur ndaj këtij brezi dhe të dëgjojnë çfarë kanë nevojë dhe në këtë mënyrë edhe t’i ndihmojnë”, tha Duma.

Nga ana tjetër psikologja Zhivanoviq theksoi se filmi e paraqet dhunën kibernetike si efekt të disa sistemeve toksike, qoftë në nivelin e marrëdhënieve, të të rriturve apo të shkollës.
“Ajo që e bën dhunën kibernetike të dallojë nga dhuna e zakonshme është se ajo përhapet shumë shpejt. Turpi është emocioni që është baza e çdo lloj dhune, e sidomos në kulturën tonë. Ne jemi injorant për këtë aspekt. Nga turpi vjen frika, frika nga refuzimi”, tha Zhivanoviq.

Sipas saj, përmes filmit shohim imazhe që nuk duam t’i shikojmë, ndërsa filmi e mundëson pikërisht këtë – depërtimin në ato histori personale të të rinjve.

“Ne nuk mund të presim që të na ndihmojë shoqëria ose që të maturohen sistemet, ose të na mbrojnë. Këtu shohim edhe një mosrespektim të kufijve mes personales dhe privates. Ne, si individë, nuk dimë të komunikojmë me respekt dhe kjo është arsyeja pse unë mendoj se nuk është vetëm teknologjia ajo që ne duhet të mësojmë ta përdorim, por duhet të ndryshojmë edhe qëndrimin, raportin ndaj njëri-tjetrit”, shtoi psikologja.

Sipas Zhivanoviq, për sinjalet e para se diçka nuk është në rregull me shëndetin mendor të adoleshentëve, zakonisht komentohet – “Ju të rinjtë shihni lloj lloj gjërash”.

“Të rinjtë stereotipizohen nga të rriturit. Ne nuk ua mësojmë atyre se cilat janë kufijtë e privatësisë si në botën fizike ashtu edhe në atë online. Bëhet shaka e tallje, kemi një histori që intensifikohet në botën online, por pasojat ndodhin në botën fizike”, shtoi Zhivanoviq.

Të gjithë u pajtuan se të rinjtë duhet të dinë se ku duhet të drejtohen nëse kanë ndonjë problem me çfarëdo lloj dhune, por edhe se duhet të dinë se çfarë ndodh pas raportimit. Sipas psikologes, për këtë fëmijët duhet të informohen që në klasën e katërt apo të pestë.

“Zgjidhja qëndron në sigurimin e shërbimeve që do të jenë në funksion të mbështetjes të të rinjve. Nëse shkoj te psikologu, duhet ta di se ai do të më mbrojë”, thekson Zhivanoviq.

Të rinjtë pjesëmarrës në debat pyetën se ku duhet të drejtohen nëse kanë ndonjë problem, ose më mirë, kujt duhet t’i drejtohen. Zhivanoviq u përgjigj se duhet t’i drejtohen një të rrituri tek i cili kanë besim, që do i udhëzojë dhe që nuk do i gjykojë.

“Adoleshentët kanë tendencë të largohen nga prindërit e tyre. Në film kemi një shkallë të madhe mosfunksionimi dhe shohim që sado që prindi mundohet, ai nuk arrin dot tek fëmija e tij. Ne, si prindër, duhet të jemi të vetëdijshëm për të gjitha ndryshimet tek fëmija. Mund ta dallojmë kur është në humor të mirë dhe kur jo, kur është i mbyllur dhe nuk flet. Duhet të mbajmë kontakte”, tha Zhivanoviq.

Tema e edicionit të 18 të Konferencës Ndërkombëtare e-Shoqëri.mk, të organizuar nga Fondacioni Metamorfozis, këtë vit ishte „Rezistenca kibernetike për liri dhe siguri“. Eventi zgjati dy ditë. Krahas shfaqjes së filmit “Motrat”, në kuadër të konferencës kishte shtatë diskutime në panel, dy fjalime frymëzuese, si dhe një debat televiziv.

M. Z. Send an email 15:43, 08-12-2022

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *