POLITIKATË FUNDIT

Dita botërore kundër korrupsionit: Si u vlerësua Maqedonia gjatë vitit 2022?

Shkup, foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk
Shkup, foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Sot shënohet dita botërore kundër korrupsionit. Me këtë rast, Portalb.mk, ju sjellë një përbledhje mbi vlerësimet që ka marrë Maqedonia e Veriut për luftimin e korrupsionit. Vendi gjatë viteve të fundit, nuk është se ka lëvizur shumë në këtë drejtim, përkatësisht s’e ka luftuar sa duhet ose sa kërkohet korrupsionin

Ambasadori britanik në Maqedoninë e Veriut Methju Loson me këtë rast, tha se raportet e fundit në lidhje me korupsionin në Maqedoninë e Veriut janë shqetësuese, ato vërtetojnë se gjendja përkeqësohet dhe nuk përmirsohet.

“Korrupsioni minon sundimin e ligjit, krijon mosbesim në proçeset gjyqësore dhe dobëson institucionet publike. Mbretëria e Bashkuar vendosmërisht përkrah Maqedoninë e Veriut për ta trajtuar këtë çështje”, tha Loson.

Për çështjen e korrupsionit, Uashingtoni ka dërguar një ekip në Maqedoni për vështrim më agresiv ndaj aktorëve të korruptuar, funksionarëve aktualë dhe të kaluar, njoftoi ditë më parë në Twitter ambasadorja amerikane në vend, Angela Ageler. Ajo shkruan se ekipi do të shqyrtojë të gjitha përgjigjet e mundshme.

“Sektorit të drejtësisë në Maqedoninë e Veriut i nevojiten më shumë hetime dhe ndjekje penale për të treguar se askush nuk është mbi ligjin”, shkroi ambasadorja në Twitter.

Zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, Ned Price, vlerësoi se sanksionet janë një mjet i rëndësishëm për të çrrënjosur korrupsionin në shtetet e Ballkanit Perëndimor.

Price tha se një prej qëllimeve të Shteteve të Bashkuara në Ballkanin Perëndimor është që të punojë me qeveritë për të luftuar korrupsionin.

“Sanksionet do të mbeten një mjet i rëndësishëm – por jo mjeti i vetëm i rëndësishëm – kur bëhet fjalë për rajonin dhe për qëllimin tonë. Këtë qëllim ne e ndajmë me qeveritë dhe banorët e këtij rajoni, pra për të çrrënjosur korrupsionin”, tha ai.

Raportet për korrupsionin

Sa i përket raporteve që ka marrë Maqedonia e Veriut, më raportin e organizatës “Freedom House” për Vendet në Tranzicion, publikuar në prill të këtij viti, Maqedonia e Veriut radhitet në grupin e regjimeve hibride/demokraci në tranzicion. Nuk ka përmirësime.

Në raport theksohej se nuk ka ndryshime në vlerësimin e pikëve për këtë vit, në fusha të caktuara. Kështu, përqindja e demokracisë e vendit sipas raportit është 47.02 nga 100. Ndërsa rezultati i demokracisë është 3.82 nga 7.00.

“Korrupsioni është i përhapur në të gjitha nivelet dhe sektorët shtetërorë dhe politika antikorrupsion e vendit vuan nga mangësi të mëdha. Skandale të njohura korrupsioni shfaqen shpesh dhe institucionet kryesore antikorrupsion shpesh përdorin një qasje joefektive. Institucioni kryesor antikorrupsion, Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit (KSHPK), ka kompetenca të kufizuara, por përbërja e tij e emëruar në vitin 2019 arrin të funksionojë shumë më proaktive se mishërimet e mëparshme. Megjithatë, efektet e punës së KSHPK-së janë mjaft të kufizuara, duke treguar nevojën për një politikë të riorganizuar antikorrupsion në vitet e ardhshme”, thuhej në raport.

Ambasadorja e SHBA-së në RMV Kate Mary Burns, në forumin rajonal “Lufta kundër korrupsionit: Ballkani Perëndimor në fokus”, në prill të po këtij viti, tha se korrupsioni, ka pasoja afatgjata që kufizojnë shanset për suksesin e një vendi.

Për ambasadoren Bërns, e rëndësishme është që të dihet se patjetër duhet të luftojmë kundër korrupsionit. Kur qytetarët mendojnë se nuk mund të kenë sukses në sistemin e tyre për shkak të administratorëve të korruptuar apo praktikave korruptive, tha ajo, gërryen thelbin e shoqërisë.

Organizata Transparency International në janar të këtij viti, nxorri raportin e vitit për Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit në botë ku arriti në përfundimin se 86 për qind e 180 vendeve dhe territoreve, kanë bërë pak ose aspak përparim në luftën kundër korrupsionit në 10 vitet e fundit. Raporti theksonte se Maqedonia e Veriut ka një indeks 39, së bashku me Kosovën, dhe është në gjysmën e fundit të tabelës së 180 vendeve në botë.

Në këtë raport Maqedonia e Veriut kishte shënuar përmirësim prej katër pikëve, nga 35 në 39. Në rajon më keq se Maqedonia e Veriut janë Serbia me 38 dhe Bosnja dhe Hercegovina me indeks 35.

Pikërisht për shkak të shkallës së korrupsionit, katër nga dhjetë të rinj do ta braktisnin shtetin, ndërsa çdo person i tretë i ri konsideron se pikërisht korrupsioni është motivimi kryesor që të inkuadrohet dhe të kontribuojë në luftën kundër veprimeve korruptive. Vetëm katër për qind e të rinjve mendojnë se gjendja e këtillë i detyron të bëhen pjesë e zinxhirit të korrupsionit. Këtë e tregon analiza e bërë nga ana e Youth Alliance në të cilën kanë marrë pjesë mbi 440 të rinj nga i gjithë vendi.

“Luftën e deritanishme kombëtare kundër korrupsionit, të rinjtë e vlerësojnë me notën dy, ndërsa inkurajon fakti se pothuajse dy e treta prej tyre (64 për qind) kanë deklaruar se deri tani drejtpërdrejtë nuk kanë marrë pjesë në aktivitete korruptuese. Të pyetur për atë se si e identifikojnë korrupsionin, të anketuarit e rinj në përqindjen më të lartë kanë deklaruar se ajo paraqet ‘të holla në indeks për profesorin/eshën’ (57 për qind), një e treta se ato janë punësimet partiake, ndërsa përqindje më të vogël se ato janë ‘kuti me çokollata për mjekun’ (7 për qind), gjegjësisht ‘dhuratë në vlerë deri më 1.000 denarë’ (3 për qind)”, kumtoi Youth Alliance.

N. D. Send an email 11:30, 09-12-2022

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *