POLITIKATË FUNDIT

Pas tre seancave të dështuara, sot pritet të mbahet seanca kryesore e gjykimit për zjarrin në spitalin modular

Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Seanca e katërt me radhë e gjykimit për zjarrin në spitalin modular të Tetovës do të mbahet sot në ora 10, ku të akuzuarit do të dalin para gjykatësit Jordan Velkovski, shkruan Portalb.mk.

Ish-drejtori i Spitalit të Tetovës – Florin Besimi, ish-drejtori ekonomik i Spitalit të Tetovës- Artan Etemi, përgjegjësi i qendrës për Kovid- Boban Vuçevski dhe Spitali i Tetovës si person juridik janë të akuzuarit për këtë rast.

Gjykimi për këtë rast ka filluar me 6 shtator, por deri tani tre seanca janë anuluar .

Pse dështuan seancat paraprake?

Seanca e parë, e mbajtur me me 6 shtator, por u shty pasi në seancë i pranishëm ishte vetëm ish-drejtori i Spitalit të Tetovës, Florin Besimi. Munguan, ish-drejtori ekonomik i spitalit- Artan Etemi dhe përgjegjësi i qendrës për Kovid- Boban Vuçevski. Nga Spitali i Tetovës si person juridik nuk pati përfaqësues, kishin dërguar përfaqësues të autorizuar.

Seanca e dytë, e caktuar për 14 tetor përsëri u shty pasi dy nga të akuzuarit, Vuçevski dhe Etemi nuk patën avokat. Ndonëse të njëjtin kanë pasur dy muaj kohë ta bëjnë të njëjtën, u arsyetuan se nuk e kanë ditur që duhet të kenë avokat.

Seanca e tretë, e caktuar për 8 nëntor u anulua për shkak se avokati i doktorit të akuzuar Boban Vuçevskit nuk ishte i pranishëm pasi siç u tha se ka pasur seancë tjetër të caktuar prej më parë. Gjykatësi i cili udhëheq lëndën, njoftoi Vuçevskin se nëse avokati i tij nuk paraqitet në seancën e radhës, seanca kryesore do të mbahet pa të.

Për çfarë akuzohen?

Florin Besimi dhe Artan Etemi akuzohen në bazë të nenit 292, në lidhje me nenin 288 nga Kodi Penal për vepër që dëmton sigurinë e përgjithshme.

Boban Vuçevski akuzohet në bazë të nenit 206 për veprën penale – mosveprim në bazë të rekomandimeve mjekësore në kohën e epidemisë.

ISHP Spitali Klinik Tetovë akuzohet për rrezikim të sigurisë së përgjithshme dhe mosveprim në përputhje me rekomandimet në kohën e epidemisë.

Për veprat në fjalë, sipas Kodit Penal, personat e dyshuar nëse shpallen fajtorë, mund të marrin dënime deri në 5 vjet burgim.

Çfarë thuhet në aktakuzë?

Ish-drejtori i spitalit të Tetovës, Florin Besimi dhe ish-drejtori ekonomik, Artan Etemi, nuk po ndiqen penalisht për shkakun e zjarrit në spitalin modular të Tetovës, por për shkak se nuk kanë instaluar mjete të parapara për fikjen e zjarrit. Mjeku Boban Vuçevski është në gjyq për shkak se ka lejuar të afërmit të hyjnë në dhomat e spitalit edhe pse ishte e ndaluar. Ky është thelbi i aktakuzës për zjarrin.

“Florin Besimi, Artan Etemi dhe Spitali i Përgjithshëm i Tetovës nuk kanë vepruar në përputhje me masat dhe aktivitetet e dala nga marrëveshja e huasë e lidhur në mes të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Bankës Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim – Banka Botërore sipas të cilës ndonëse kanë qenë të obliguar që në ditën e vënies në punë të Spitalit Modular në Tetovë dhe deri më sot të kenë mjete dhe instalime përkatëse për mbrojtje nga zjarret dhe shpërthimet, mjete të tjera zjarrfikëse, mjete për shuarjen e zjarrit dhe aparate kundër zjarrit. nga zjarri në Spitalin Modular, nuk kanë instaluar mjetet e duhura për mbrojtje nga zjarri ”, thuhet në aktakuzë.

Për Vuçevskin ka vetëm një paragraf në të cilin kërkohet përgjegjësi nga ai. Por jo për zjarrin, shkaqet dhe as pasojat e mospasjes së aparateve të zjarrit.

“I akuzuari Boban Vuçevski, si person përgjegjës gjatë pandemisë, nuk ka vepruar në përputhje me rregulloret dhe urdhrat që përcaktojnë masat për parandalimin dhe parandalimin e saj dhe nuk ka vepruar sipas urdhrit të dhënë nga drejtori mjekësor në Spitalin klinik të ISHP në Tetovë, ndalimi i vizitave të personave të paautorizuar në ambientet e spitalit, për shkak të shpërthimit të gripit sezonal dhe ngjarjeve globale me Covid-19, si dhe lejohet hyrja e personave të paautorizuar – familjarëve të të sëmurëve me Covid-19, si shoqërues në Spitalin Modular”, thuhet në aktakuzë.

Drejtorët po ndiqen penalisht për dy krime, konkretisht krime të rënda kundër sigurisë publike dhe mosrespektim të rregullave shëndetësore gjatë një epidemie, ndërsa mjeku është vetëm për mosrespektim të rregulloreve shëndetësore gjatë pandemisë.

Deri më tani për zjarrin janë kryer katër ekspertiza

E para është realizuar nga Ministria e Punëve të Brendshme, e cila ka konstatuar se kontakt i shkurtë i energjisë elektrike gjatë reanimimit të një pacienti e ka djegur një kabllo shtesë, pas çka ka shpërthyer zjarri.

E dyta është e Fakultetit të Teknologjisë, për të cilën nuk ka detaje për gjetjet.

E treta është bërë nga një elektro-inxhinier për instalimet në spital.

E katërta nga ekspertiza gjermane, ku prokuroria ka thënë se e nuk ndryshon shumë nga konstatimet e ekspertëve të Sektorit për Kontrolle Ekspertiza Kriminalistikë (SKEK).

Sipas informacioneve, gjatë procedurës para-hetimore, për të dhënë dëshmitë e tyre para prokurorëve të lëndës, u thirrën mbi 30 mjekë dhe infermierë, të cilët kanë qenë të angazhuar në Kovid-qendrën e Tetovës natën kur ndodhi rasti. Janë dëgjuar edhe dëshmitarë okularë dhe familjarë.

Zjarri i tmerrshëm që e bëri hi spitalin modular në Tetovë, mori me vete 14 jetë të pacientëve të trajtuar nga Covid-19, por edhe të anëtarëve të familjeve që ndodheshin brenda. 14 persona u shpëtuan përpara se objekti të digjej plotësisht. Mbetjet nga objekti i djegur filluan të largohen javën e kaluar, konkretisht pesëmbëdhjetë muaj pas tragjedisë që ndodhi. Drejtori i Spitalit të Tetovës njoftoi se në atë vend parashihet të vendoset pllakë përkujtimore për viktimat që humbën jetën.

Fisnik Xhelili Send an email 07:00, 07-12-2022

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *