Interi sërish për pazar te Roma, gati t’i rrëmbejë një tjetër lojtar me parametra zero
Roma vijon të mbetet një market i preferuar për Interin, që verën e 2021-shit mori Edin Dzekon dhe verën e 2022-shit Heinrikh Mkriharyan, të dy me parametra zero, duke u hequr verdhekuqve dy nga elementët më të rëndësishëm të skuadrës.
Edhe vera e ardhshme pritet të mos bëjë përjashtim, pasi zikaltrit kanë vënë në listën e objektivave anglezin Chris Smalling, kontrata e të cilit me Romën skadon verën e ardhshme dhe më pas është lojtar i lirë.
Drejtuesit zikaltër kanë nisur negociatat me menaxherët e Smalling dhe kanë treguar gatishmërinë t’i ofrojnë një kontratë 1 vjeçare, me opsion rinovimi për një tjetër sezon, nëse forma fizike e 33-vjeçarit do të jetë e mirë.
Aktualisht Smalling përfiton një pagë prej 3.8 milionë eurosh te Roma, shifër të cilën Interi është gati t’ia ofrojë nëse mbrojtësi do të pranojë një transferim në Milano.