POLITIKA

Ende në arrati autori i vrasjes së gruas shtatzënë

Të mërkurën rreth orës 18:00 u vra një grua shtatzënë në oborrin e Klinikës Gjinekologjike në Prishtinë, ndërsa edhe pas 40 orëve i dyshuari, ish bashkëshorti i saj Sokol Halili është në arrati.

Policia e Kosovës deri tani ka gjetur veturën me të cilën ka lëvizur i dyshuari dhe pasi ka kryer hetimet, e ka kthyer veturën në oborrin e shtëpisë së Sokol Halilit, ndërkaq ka kërkuar bashkëpunimin e qytetarëve për arrestimin e të dyshuarit.

Familjarët e të ndjerës kanë treguar se viktima dhe dorasi kanë qenë të ndarë që pesë muaj. Motra e viktimës ka bërë të ditur se autoritetet kanë qenë të njoftuara për problemet e viktimës me ish-bashkëshortin.

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka njoftuar se ka kërkuar përfshirjen e IPK-së për hetimin e punës, veprimeve apo mosveprimeve të zyrtarëve policorë të përfshirë në trajtimin e këtij rasti.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka thënë se është e gatshme të jap dorëheqje nëse vërtetohet se ka pasur përgjegjësi në mënyrë të drejtpërdrejt apo të tërthortë në rastin e vrasjes së shtatzënës 35-vjeçare në QKUK.

Shukrie Magashi, motra e 35-vjeçares që është vrarë të mërkurën mbrëma ka dhënë detaje të reja për raportet problematike të çiftit.

Magashi në RTV Dukagjini thotë se që në ditën e parë të martesës janë paraqitur shenjat e para.

“Ditën e parë pas martesës motra nuk është lajmëruar fare në telefon. Pasdite në është lajmëruar burri i saj i cili na ka dërguar vetëm një sms se “motra është mirë”, dhe ne mos të bëhemi merak”, rrëfen motra e viktimës.

Ajo thotë se motra është keqtrajtuar vazhdimisht, është lënë pa ngrënë e pa mirë dhe nuk është lejuar të takohet me familjen e saj.

“Tërë kohën motra ka qenë e kërcënuar e rrahur. Ajo është lënë pa ngrënë e pa pirë. Asnjëherë nuk e kanë lënë të bëhet bashkë me ne për ndonjë ndeje”.

Shukria thotë se ka folur me të motrën rreth orës 5 të ditës së djeshme dhe se gjendja e saj ka qenë mirë deri në atë orë.

Me moton “Vrasja e grave nga burrat të trajtohet si urgjencë kombëtare” në Prishtinë të enjten u mbajt edhe protestë. Qindra protestues në sheshin “Zahir Pajaziti”, kërkuan përgjegjësi institucionale për vrasjen e së mërkurës.

Original Article

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *