TË FUNDIT

Zëvendësministri Dula: Stabiliteti nuk ndërtohet me bllokada, por me institucione të forta

Ali Dula, Zëvendësministër i Parë në Ministrinë për Zhvillim në një intervistë ekskluzive për ‘Bota sot’, ka folur për përgjegjësinë institucionale, prioritetet e tij në funksion të zhvillimit rajonal, si dhe për situatën aktuale politike në vend.

Në këtë intervistë, Dula ndalet te rëndësia që, sipas tij, ka forcimi i institucioneve, shpërndarja më e drejtë e investimeve në të gjitha rajonet e Kosovës dhe nevoja për më shumë stabilitet politik në vend. Ai ka theksuar se pozita përbën një përgjegjësi të madhe, por edhe një mundësi për të kontribuar drejtpërdrejt në proceset zhvillimore dhe në përmirësimin e mirëqenies së qytetarëve.

Duke folur për situatën aktuale politike, ai ka komentuar zhvillimet e fundit në vend, përfshirë bllokadat institucionale, proceset zgjedhore dhe raportet pozitë-opozitë.

Sipas Dulës, Kosova ka nevojë për më shumë bashkëpunim institucional, vazhdim të reformave dhe respektim të vullnetit qytetar, në mënyrë që të shmangen krizat e vazhdueshme politike.

Po ashtu, ai flet edhe për angazhimin e tij në kuadër të Lëvizjes Vetëvendosje, mundësinë e përfshirjes në zgjedhjet e ardhshme dhe pritjet për performancën elektorale të subjektit që përfaqëson.

ImageAli Dula, Zëvendësministër i Parë në Ministrinë për ZhvillimFoto galeri
Intervista e plotë:

“Bota sot”: Ditë më parë jeni emëruar Zëvendësministër i Parë në MZHR nga Kryeministri i Republikës së Kosovës, z. Albin Kurti. Si e keni pritur këtë emërim dhe çfarë domethënie ka për ju personalisht dhe profesionalisht?

Ali Dula: Ky emërim për mua është para së gjithash një përgjegjësi e madhe dhe një besim shumë i çmuar nga Kryeministri i Republikës së Kosovës, z. Albin Kurti. E kam pritur me mirënjohje të thellë dhe me vetëdijen e plotë se shërbimi publik kërkon përkushtim, integritet dhe punë të vazhdueshme në interes të qytetarëve.

Në aspektin personal, është një moment i një motivi shtesë për të dhënë kontributin tim për vendin, duke e parë këtë detyrë si vazhdim të angazhimit tim profesional dhe qytetar. Ndërsa në aspektin profesional, e konsideroj një mundësi për të qenë pjesë aktive e proceseve zhvillimore, veçanërisht në fuqizimin e zhvillimit rajonal, krijimin e mundësive të barabarta për të gjitha rajonet dhe avancimin e politikave që ndikojnë drejtpërdrejt në mirëqenien e qytetarëve.

Besoj se me punë, bashkëpunim institucional dhe afërsi me nevojat reale të njerëzve, mund të arrijmë rezultate konkrete dhe afatgjata për vendin.

“Bota sot”: Cili është prioriteti juaj kryesor në këtë periudhë të shkurtër para zgjedhjeve, duke qenë në pozitë ekzekutive?

Ali Dula: Në këtë periudhë, prioriteti im kryesor është që detyrën ta ushtroj me përkushtim maksimal dhe me fokus të qartë në nevojat konkrete të qytetarëve. Pavarësisht kohëzgjatjes së mandatit, mendoj se përgjegjësia institucionale kërkon angazhim të plotë dhe rezultate të prekshme.

Vëmendje të veçantë do t’i kushtoj avancimit të projekteve zhvillimore, koordinimit me nivelin lokal dhe krijimit të kushteve që investimet dhe mbështetja institucionale të shpërndahen në mënyrë sa më të drejtë në të gjitha rajonet e Kosovës.

Po ashtu, është shumë e rëndësishme që institucionet të funksionojnë me stabilitet, profesionalizëm dhe transparencë, duke ruajtur besimin e qytetarëve dhe duke dëshmuar se shërbimi publik është mbi çdo interes tjetër.

“Bota sot”: Si e vlerësoni gjendjen aktuale politike në Kosovë pas dështimit për zgjedhjen e presidentit të ri?

Ali Dula: Mendoj se situata aktuale politike në Kosovë po dëshmon qartë dallimin mes një qasjeje që synon ndryshimin dhe reformën, dhe një mentaliteti të vjetër politik që shpesh ka prodhuar bllokada institucionale. Mosarritja e zgjedhjes së presidentit të ri nuk i shërben stabilitetit institucional dhe as pritjeve të qytetarëve për funksionalitet më të madh politik.

Lëvizja Vetëvendosje tregoi gatishmëri për përgjegjësi institucionale, transparencë dhe qeverisje në interes të qytetarëve. Oferta për opozitën reflektonte një qasje gjeneroze që synonte të krijojë një balans të drejtë në proceset vendimmarrëse. Ajo përcillte sinqeritet në kërkimin e një zgjidhjeje të përbashkët, në dobi të stabilitetit dhe interesit publik. Ndërsa në anën tjetër, shpesh kemi parë tendenca për kalkulime politike që e vendosin interesin partiak mbi interesin shtetëror.

Kosova sot ka nevojë për stabilitet, vazhdim të reformave dhe forcim të institucioneve demokratike. Qytetarët presin më shumë punë, zhvillim dhe drejtësi, e më pak krizë politike. Prandaj, besoj se të gjitha subjektet politike duhet të reflektojnë dhe të kontribuojnë në funksionimin normal të institucioneve, duke respektuar vullnetin qytetar dhe interesin e Republikës së Kosovës.

“Bota sot”: A konsideroni se proceset e përsëritura zgjedhore po ndikojnë negativisht në stabilitetin e vendit?

Ali Dula: Proceset e shpeshta zgjedhore sigurisht që krijojnë një ngarkesë politike dhe institucionale për vendin, sepse energjia e institucioneve shpesh zhvendoset nga zhvillimi dhe projektet konkrete drejt kalkulimeve politike. Megjithatë, në një demokraci funksionale, zgjedhjet janë mekanizëm legjitim dhe i domosdoshëm për të respektuar vullnetin e qytetarëve.

Mendoj se stabiliteti i vërtetë nuk ndërtohet duke ruajtur bllokada apo kompromise të dëmshme politike, por duke krijuar institucione të forta, legjitimitet demokratik dhe qeverisje të përgjegjshme.

Natyrisht, do të ishte më mirë që institucionet të funksiononin me stabilitet më afatgjatë dhe me më shumë konsensus për çështjet shtetërore. Por kur krijohen bllokada politike apo mungesë reflektimi nga opozita, atëherë kthimi te qytetari mbetet zgjidhja më demokratike dhe më legjitime për vendin.

“Bota sot”: A prisni të vazhdoni të mbani këtë pozitë edhe pas zgjedhjeve të 7 qershorit?

Ali Dula: Aktualisht, fokusi im kryesor është përmbushja me përgjegjësi e detyrës që më është besuar nga kryeministri Kurti dhe angazhimi maksimal në shërbim të qytetarëve dhe institucioneve të Republikës së Kosovës. Për mua, rëndësi ka që besimi i dhënë të justifikohet përmes punës dhe rezultateve konkrete në shërbim të qytetarëve.

Çështjet që lidhen me përbërjen e ardhshme institucionale dhe vazhdimin e mandateve varen nga vullneti qytetar dhe vendimmarrjet politike pas zgjedhjeve. Unë mbetem i gatshëm të kontribuoj me aty ku vlerësohet se mund të jem më i dobishëm profesionalisht dhe me integritet për institucionet dhe për interesin e Republikës së Kosovës.

“Bota sot”: A është diskutuar mundësia që ju të jeni pjesë e zgjedhjeve të 7 qershorit në listën e Lëvizjes Vetëvendosje për deputet?

Ali Dula: Për momentin jam i fokusuar në përgjegjësitë institucionale që kam marrë, por natyrisht angazhimi im politik në kuadër të Lëvizja Vetëvendosje vazhdon me të njëjtin përkushtim. Si udhëheqës i Qendrës së Lëvizjes në Rahovec, jam krenar për rezultatin e zgjedhjeve lokale, por edhe për zgjedhjet e 28 dhjetorit ku kemi shënuar ngritje rekorde të mbështetjes qytetare, gjë që tregon besimin në punën dhe qasjen tonë politike.

Do të vazhdojmë të punojmë maksimalisht që kjo mbështetje të rritet edhe më shumë, në mënyrë që rezultati ynë në zgjedhjet e ardhshme të jetë edhe më i lartë dhe edhe më përfaqësues i vullnetit qytetar. Sa i përket kandidimit, vendimet do të merren në kohën e duhur nga strukturat e Lëvizjes, gjithmonë në funksion të interesit politik dhe qytetar.

“Bota sot”: Si e shihni ndikimin e zgjedhjeve të reja në performancën elektorale të Lëvizjes Vetëvendosje?

Ali Dula: Zgjedhjet e reja, në vetvete, janë një mekanizëm demokratik përmes të cilit qytetarët shprehin vullnetin e tyre, por është e rëndësishme të kuptohet edhe konteksti politik që i sjell ato. Le të jemi të qartë, në këtë rast, ato nuk janë rezultat i një iniciative të qeverisjes, por pasojë e një situate të krijuar nga qasja bllokuese dhe mungesa e konsensusit nga e opozita në proceset institucionale.

Në këtë kontekst, përgjegjësia për kthimin e vendit në proces zgjedhor duhet të shihet si rezultat i mungesës së gatishmërisë për zgjidhje institucionale dhe të qëndrimeve që kanë penguar funksionimin normal të proceseve politike për krijimin dhe funksionalizimin e plotë të institucioneve të shtetit.

Sa i përket ndikimit në performancën elektorale të Lëvizjes Vetëvendosje, çdo subjekt politik i nënshtrohet vlerësimit të qytetarëve në zgjedhje. Ne besojmë dhe kjo është dëshmuar tashmë fare qartë se qytetarët vlerësojnë punën, reformat dhe qasjen e përgjegjshme në qeverisje, përballë çdo përpjekjeje për bllokadë apo destabilizim institucional.

Në fund, zgjedhjet mbeten moment i shprehjes së vullnetit qytetar, ku puna dhe rezultatet kanë më shumë peshë se çdo narrativë politike e momentit.

“Bota sot”: A ekziston rreziku që Kosova të hyjë në një cikël të vazhdueshëm krizash politike dhe zgjedhore?

Ali Dula: Në çdo sistem demokratik ekziston potenciali për debate politike, qasje serioze kritike që krijojnë shpesh edhe tensione politike pozitë”Bota sot”:opozitë, por rreziku i hyrjes në një cikël të vazhdueshëm krizash dhe zgjedhjesh varet kryesisht nga sjellja e partive politike dhe gatishmëria e tyre për kompromis institucional.

Nëse dominojnë qasjet bllokuese dhe mungesa e vullnetit për zgjidhje brenda institucioneve, atëherë natyrisht që krijohet një rrezik i përsëritjes së situatave të paqëndrueshme. Megjithatë, këto procese zgjedhore shpesh shërbejnë edhe si një mekanizëm korrigjues demokratik, ku qytetarët japin mesazhe të qarta për drejtimin që duan të marrë vendi.

Nga kjo perspektivë, çdo cikël zgjedhor duhet të shihet edhe si një “moment reflektimi” për skenën politike, sepse partitë marrin leksione nga rezultati dhe nga pritjet e qytetarëve. Është e rëndësishme që ky reflektim të çojë në ndryshim të qasjes, duke u larguar nga praktikat bllokuese dhe duke u orientuar drejt bashkëpunimit konstruktiv institucional.

Lëvizja Vetëvendosje ka qenë e fokusuar në funksionalitetin e shtetit dhe në vendimmarrje të përgjegjshme, dhe besojmë se në afatgjatë edhe spektri politik në tërësi do të orientohet më shumë drejt stabilitetit, bashkëpunimit dhe respektimit të vullnetit qytetar, duke shmangur ciklet e panevojshme të krizave politike.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *