TË FUNDIT

“Zemra më thoshte shko”, Dion Kacuri shpjegon pse e la Zvicrën për Kosovën: Kualiteti është nivel brutal

Mesfushori Dion Kacuri ka shpjeguar se e ndoqi zemrën për ta zgjedhur Kosovën dhe që vendimi i tij nuk ishte kundër Zvicrës.

Kacuri ishte një nga risitë e Kosovës në muajin shtator/tetor, ndërsa debutoi si titullar në barazimin pa gola me Izraelin.

Ai së fundmi në një podcast të gjatë për “Story Times”, ka rrëfyer tërë karrierën, ku ndër të tjera u ndalë për të folur edhe për vendimin më të madh, zgjedhjen pro Kosovës.

“Mendoj se shumica e njerëzve e kanë keqkuptuar paksa. Kurrë nuk vendosa kundër Zvicrës, jam shumë mirënjohës. Kam qenë në të gjitha grupmoshat, e di çfarë do të thotë, edhe ti e di, ke qenë kampion i botës me Zvicrën, ta veshësh fanellën është nder i madh sepse e përfaqëson Zvicrën”.

“Kam luajtur për U21, tani jam 22-vjeç dhe kur erdhi thirrja nga Franco Foda, që thotë “Po të marrë në Ligën e Kombeve me Kosovën se mund të luash”. Kuptohet, nuk e mora vendimin menjëherë sepse më duhet të mendoja, të diskutoja me të dashurën, familjen, doja të konsideroja gjithçka”.

“Nuk ishte vendim i shpejtë, por sa herë që mendohesha ditë e natë, ndjenjat, zemra më thoshte shko te Kosova. Pastaj, kam shumë familjar aty, prindërit u lindën, u rritën aty. Unë shkoj çdo vit në Kosovë prandaj edhe doja ta merrja këtë vendim”.

22-vjeçari lavdëroi edhe kualitetin e madh të Kosovës, ndërsa nuk është i penduar për vendimin e marrë sepse beson se mund të arrijmë shumë lartë.

“Pra siç thashë, nuk vendosa kurrë kundër Zvicrës, por thjesht në favor të Kosovës. Është e rëndësishme që e thashë sepse gjithnjë jam keqkuptuar. Vërtetë marrë shumë mesazhe si në Instagram, përfshirë komentet e të tjerë. Por, nuk vendosa kundër tyre, mirëpo për Kosovën”.

“Më duhet edhe ta them, Kosova tani ka një skuadër të madhe. Mënyra si luajtëm ndaj Austrisë shembull, ose në përgjithësi në Ligën e Kombeve, kuptohet loja e dytë nuk ishte e mirë, por kualiteti që kemi është wow”.

“Lojtarë si Fisnik Asllani, sezonin e kaluar ndër më të mirët në Bundesliga, lojtarë si Avdullahu dhe Hajdari që luajnë në Bundesliga. Vojvoda që luajti te Como dhe tani është te Udinese. Është brutale dhe gjithnjë po bëhet më mirë sepse gjithmonë po ka më shumë lojtarë që po vijnë për Kosovën dhe do të jetë për të gjithë më e vështirë të luajnë ndaj Kosovës”.

“Në përgjithësi ishte vendim i mirë. Ishte një eksperiencë e shkëlqyer, vërtetë shumë e mirë dhe shpresoj se mund të luaj më shumë”, nënvizoi ai.

Përndryshe, Kacuri mund të ketë minuta në sfidën e sotme të Kosovës ndaj Izraelit./ Telegrafi /

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *