Zelensky drejton një takim mbi situatën në Kiev, në të cilin merr pjesë edhe Klitschko
Gjatë një mbledhjeje të Shtabit të Komandantit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Ukrainës, u diskutua situata logjistike në Kiev, në rast të një përkeqësimi të ndjeshëm të situatës si pasojë e sulmeve ruse.
Dhe ndër të pranishmit që morën fjalën ishte edhe kryetari i bashkisë së kryeqytetit, Vitali Klitschko, shkruajnë mediat ukrainase, përcjell Telegrafi.
Sipas tyre, kreu i shtetit, Volodymyr Zelensky, e bëri të ditur këtë përmes një postimi në Facebook.
“Drejtova mbledhjen e Shtabit të Komandantit të Përgjithshëm. U paraqitën raporte të hollësishme mbi situatën në Kiev, kërcënimet e mundshme dhe reagimet e parashikuara. Raportet u dhanë nga përfaqësues të ushtrisë dhe shërbimeve të inteligjencës, zyrtarë qeveritarë dhe kryetari i bashkisë së kryeqytetit”, ka thënë Zelensky.
Ndër rezultatet e arritura, ai përmendi fillimisht hartimin e algoritmeve specifike operacionale për transportin publik dhe logjistikën në Kiev në tërësi, për rastin kur situata mund të përkeqësohet ndjeshëm si pasojë e sulmeve ruse.
“Është e rëndësishme që banorët dhe bizneset në kryeqytet të kenë mundësinë, në çdo rrethanë, të përdorin transportin, të punojnë, të studiojnë dhe të ruajnë sa më shumë që të jetë e mundur mundësinë për të qëndruar në qytet”, ka theksuar Zelensky.
Së dyti, sipas kreut të shtetit ukrainas, zyrtarët qeveritarë, në bashkëpunim me autoritetet e qytetit, po zhvillojnë një sistem që do t’u garantojë banorëve të Kievit përdorimin falas të linjave të caktuara të autobusëve, nëse format e tjera të transportit ndalojnë së funksionuari.
Sipas Zelenskyt, kryetari i bashkisë dhe zyrtarët qeveritarë informuan Shtabin e Komandës lidhur me mbrojtjen e objekteve të caktuara infrastrukturore në Kiev, si dhe për krijimin e alternativave të tjera.
“Është e rëndësishme që e gjithë kjo punë të përshpejtohet sa më shumë të jetë e mundur; jam mirënjohës ndaj secilit që është përfshirë në këtë proces”, ka vënë në dukje kreu i shteti ukrainas.
Ai shtoi se në Shtabin e Komandës u zhvillua gjithashtu një diskutim i detajuar me Drejtorinë Kryesore të Inteligjencës, Ministrinë e Mbrojtjes, ushtrinë dhe Shërbimin e Sigurisë së Ukrainës, në lidhje me kundërpërgjigjet me rreze të gjatë ndaj terrorit rus.
“Kemi bërë disa përshtatje në planin operacional – qëllimi është të arrihet një ngadalësim më i theksuar i prodhimit ushtarak rus dhe i proceseve të caktuara ekonomike”, theksoi presidenti.
Veç kësaj, Zelensky vuri në dukje se ata diskutuan me shërbimet e sigurisë dhe Ministrinë e Punëve të Jashtme mbi masa shtesë për koordinim me partnerët, në kuadër të “operacioneve të nevojshme në ujëra neutrale, jashtë Ukrainës”.
