Zbulim i rrallë në Verboc të Drenasit, gjurmë që mund të jenë deri në 70 mijë vjet të vjetra
Në Verboc të Drenasit po zhvillohen hulumtime arkeologjike për periudhën e Paleolitit, ku studiuesit pretendojnë se kanë identifikuar gjurmë që mund të jenë deri në 70 mijë vjet të vjetra.
Lokalitetin në fshatin Verboc e kanë vizituar kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci, dhe nënkryetari Arben Shala, të cilët janë njoftuar nga afër me punën e studiuesve dhe rezultatet e deritanishme.
Hulumtimi po zhvillohet nga studiues të Universitetit të Tübingenit në Gjermani, në bashkëpunim me Institutin Arkeologjik të Kosovës. Në ekipin hulumtues është edhe arkeologu nga Drenasi, Sami Haziraj.
Pjesë e hulumtimit është edhe profesori i Universitetit të Tübingenit, Prof. Dr. Harald Floss, ndërsa punën në terren nga Instituti Arkeologjik i Kosovës e udhëheq arkeologu Luan Gashi.
Gjurmimet e para në këtë lokalitet kanë nisur në vitin 2021. Sipas vlerësimeve fillestare të studiuesve, gjurmët e identifikuara mund t’i përkasin periudhës së Paleolitit dhe të jenë rreth 25 mijë deri në 70 mijë vjet të vjetra.
Megjithatë, bëhet fjalë për vlerësime fillestare dhe mosha e saktë, si dhe interpretimi i gjetjeve, pritet të përcaktohen përmes analizave dhe studimeve të mëtejshme shkencore.
Kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci, e ka cilësuar hulumtimin si të rëndësishëm për komunën dhe Kosovën.
“Është jashtëzakonisht interesante të shohësh se në tokën e Drenasit mund të ruhen gjurmë që na çojnë dhjetëra mijëra vite prapa në historinë e njerëzimit”, ka deklaruar Lladrovci.
Ai ka thënë se Komuna e Drenasit do të vazhdojë të mbështesë punën shkencore dhe institucionale për dokumentimin dhe ruajtjen e kësaj pasurie.
Rezultatet përfundimtare të hulumtimeve pritet të japin të dhëna më të sakta për moshën dhe rëndësinë arkeologjike të lokalitetit në Verboc./Telegrafi/
