Vrasja e Arlinda Zekajt, Miftaraj: Institucionet dështuan të nxjerrin mësime nga rasti i Sebahate Morinës
Drejtori i Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD), Ehat Miftaraj, ka tërhequr vëmendjen te rasti i Sebahate Morinës, për të cilin Gjykata Kushtetuese kishte konstatuar se Policia dhe Prokuroria kishin dështuar t’ia siguronin të drejtën për jetë.
Duke folur për rastin e Arlinda Zekajt, Miftaraj, i ftuar në “Debat Plus” në Dukagjin, u shpreh se ai ka ngjashmëri me rastin e Morinës, të ndodhur në vitin 2021, dhe se institucionet është dashur të ndërmarrin masa për të parandaluar përsëritjen e rasteve të tilla.
“Është rasti i Sebahate Morinës në vitin 2021, ka qenë pothuajse identik, sigurisht jo në këto përmasa, por që është vërtetu me aktgjykim të Gjykatës Kushtetuese që Policia e Prokuroria kanë dështu me ja siguru të drejtën për jetë Sebahate Morinës”, u shpreh Miftaraj.
Ai tregoi se IKD-ja e kishte dërguar rastin e Morinës në Gjykatën Kushtetuese dhe e kishte hetuar atë. Sipas tij, pas publikimit të aktgjykimit, pritjet ishin që institucionet përgjegjëse të ndërmerrnin hapa konkretë për të parandaluar raste të ngjashme.
“IKD-ja e ka dërgu rastin në Gjykatën Kushtetuese dhe e ka hetu rastin e saj dhe kur ka dal aktgjykimi në rastin e saj, IKD-ja ka besu se të gjitha institucionet, Policia, Prokuroria, Gjykata, QPS-ja e të tjera, kanë me marrë masa proaktive që mos me u përsërit raste të tilla”, tha ai.
Miftaraj theksoi se institucionet duhet t’i zbatojnë rekomandimet e Gjykatës Kushtetuese, duke shtuar se IKD-ja ka informacione të rëndësishme për mënyrën se si kanë dështuar institucionet në rastin e Arlinda Zekajt.
“Krejt çka duhet me bë është me u zbatu rekomandimet që ka dhënë Gjykata Kushtetuese në aktvendimin e Sebahate Morinës. Kemi informata të rëndësishme se ku ka dështu shteti te rasti i Arlinda Zekajt. Në secilin rast, shteti duhet me siguru mbrojtjen e jetës dhe sigurisë fizike të viktimës së dhunës në familje. Shteti nuk do të duhej që viktima dhe ish-burri të jetojnë në të njëjtën shtëpi, do të duhej që gjyqtari të vlerësonte rrezikun”, u shpreh Miftaraj.
