POLITIKATË FUNDIT

“Vo, qymyr e spektakël, por ku janë votat?” – Gashi ‘godet’ opozitën: LVV-ja ju mundi, tash po…!

Shkëlzen Gashi ka reaguar me kritika ndaj mënyrës së re të opozitarizmit të partive që aktualisht ndodhen jashtë pushtetit, duke i akuzuar ato se po kopjojnë metodat e Lëvizjes Vetëvendosje.

Gashi në postimin e tij në Facebook, thotë se aksionet simbolike me vo, qymyr apo performanca të tjera nuk janë arsyeja pse LVV-ja ka fituar zgjedhjet, por kanë qenë vetëm mjete politike, ndërsa suksesin ia atribuon pakënaqësisë së qytetarëve ndaj partive që kanë qeverisur më herët, përcejll “Bota sot”.

Sipas tij, opozita po kopjon formën, por po e anashkalon shkakun e humbjeve të saj.

Shkrimi i plotë

VO DHE QYMYR

LVV jo veç që i ka mujtë rrast në disa palë zgjedhje rresht, por jau ka imponu edhe metodat e opozitarizmit.

Gjatë kësaj dekade, partitë që sot janë në opozitë i kanë humbë disa palë zgjedhje rresht. Megjithatë, shumë rrallë i kemi dëgju tu e ba pyetjen: çka kemi ba gabim kur kemi qenë në pushtet që qytetarët na kanë refuzu? Shpjegimi i tyne ka qenë se: LVV-ja i ka mashtru qytetarët, ka manipulu me ta dhe ka fitu me populizëm.

Tash këto parti opozitare kanë fillu me organizu aksione simbolike kundër Qeverisë: me vo, me qymyr e me performanca tjera publike.

LVV-ja nuk ka fitu pse ka gjujtë me vo, pse ka përmbysë tavolina apo pse ka organizu aksione simbolike. Këto kanë qenë mjete politike. Arsyeja kryesore pse LVV-ja është rritë ka qenë pakënaqësia e madhe e qytetarëve me partitë që kanë qeverisë.

Pra, partitë opozitare po e kopjojnë formën, pa u marrë me shkakun.

Po të sillnin vota aksionet simbolike vetvetiu, PSD-ja do të ishte sot njëra prej partive ma të mëdha në Kosovë. PSD-ja ka ba aksione kreative, mediatike, shpesh edhe shumë ma të mendume se këto që po i shohim sot. Megjithatë, PSD nuk ka arritë as me e kalu pragun sepse aksioni simbolik ta sjell vëmendjen, por nuk ta sjell patjetër votën.

Për votë duhen besimi, organizimi, njerëzit, programi dhe, mbi të gjitha, bindja e qytetarit se ti je alternativë reale. Prandaj, në vend se me mendu: “LVV-ja ka ba aksione dhe ka fitu, hajde t’i bajmë edhe na”, partitë opozitare do të duhej me u marrë me dy pyetje shumë ma të vështira:

Pse na kanë largu qytetarët nga pushteti?

Çka po u ofrojmë sot ndryshe që me na kthy prapë në pushtet?

Ka edhe një paradoks tjetër. Këto parti për vite të tana i kanë përqeshë metodat e LVV-së e sot i përdorin vetë. Në këtë mënyrë, pa dashtë, po ia pranojnë LVV-së edhe një fitore tjetër: jo vetëm që i ka mujtë në zgjedhje, por ua ka imponu edhe metodat e opozitarizmit. Problemi është se, kur e kopjon kundërshtarin, shpesh e forcon origjinalin.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *