TË FUNDIT

Vlera e tij arrin miliona, por historia e këtij diamanti rozë është edhe më e rrallë

Një diamant i rrallë rozë, i vjedhur pothuajse saktësisht 100 vjet më parë, do të ekspozohet për herë të parë që nga grabitja e tij në vitin 1926, në Francë.

Gur i çmuar në formë dardhe, nëntë karatësh, i njohur si “Grand Condé”, u vodh gjatë një grabitjeje natën në kështjellën Château de Chantilly.

Hajdutët e fshehën diamantin brenda një molle të zbrazur.

Ai u gjet disa javë më vonë, kur një shërbyese në hotelin ku qëndronin hajdutët kafshoi mollën dhe zbuloi gurin e çmuar.

Diamanti, një nga të paktët bizhuteri mbretërore që i mbijetuan Revolucionit Francez, do të ekspozohet në Muzeun Condé deri më 3 janar.

Drejtori i muzeut, Mathieu Deldicque, tha se historia e mollës mund të duket e pabesueshme, por ishte raportuar gjerësisht nga gazetat e kohës.

Ekspozita përfshin gjithashtu dokumente arkivore të paraqitura për herë të parë dhe rezultatet e studimeve shkencore që ndihmojnë në identifikimin e veçantë të diamantit.

Këto masa sigurie janë veçanërisht të rëndësishme pas një serie grabitjesh në institucionet kulturore evropiane, përfshirë vjedhjen e bizhuterive në Muzeun e Luvrit në Paris.

Diamantet rozë natyralë janë jashtëzakonisht të rrallë dhe mund të shiten për dhjetëra miliona dollarë.

Rekordi në ankand për një diamant të tillë është 71.2 milionë dollarë, i arritur në vitin 2017.

Origjina e saktë e “Grand Condé” mbetet mister. Ai përmendet për herë të parë në vitin 1740, në inventarin e pasurisë së princit Louis Henri de Bourbon, ndërsa më vonë kaloi në koleksionin e familjes mbretërore franceze.

Sot, diamanti është pjesë e koleksionit të Muzeut Condé, në kështjellën Château de Chantilly, rreth 50 kilometra në veri të Parisit. /Telegrafi/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *