Vetëvendosje: “Prishtina nuk është Republika e Përparim Ramës”
Lëvizja kërkon përgjegjësi nga kryetari për publikimin e vendimeve që ministritë i kanë vlerësuar si të kundërligjshme
Lëvizja Vetëvendosje, Qendra në Prishtinë, reagoi ashpër ndaj vendimit të kryetarit të Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, për dhënien në shfrytëzim të hapësirës së Tulltores për një periudhë prej 50 vitesh. Sipas raportimit nga KosovaPress, në komunikatën e saj, partia në pushtet në nivel qendror theksoi se “Rama nuk është mbi ligjet e Republikës”.
Sipas reagimit të LVV-së, Komuna e Prishtinës ka publikuar në faqen zyrtare vendimin për dhënien në shfrytëzim të Tulltores dhe vendimet për caktimin e lokacioneve për projekte të ndryshme, pavarësisht faktit se ministritë përkatëse i kanë vlerësuar këto aktet si të kundërligjshme dhe e kanë njoftuar Komunën brenda afatit ligjor.
“Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, duhet të jap përgjegjësi për publikimin e këtyre vendimeve pa u rregulluar kundërligjshmëritë e konstatuara”, thuhet në reagim të Lëvizjes Vetëvendosje.
Sipas këtij subjekti politik, kjo qasje shpreh një mendësi të papranueshme të qeverisjes lokale. LVV-ja ngriti pyetje kritike drejtuar institucioneve:
“Çfarë mesazhi u jepet qytetarëve kur vetë Komuna vepron sikur vlerësimet e institucioneve përgjegjëse nuk kanë rëndësi?”
Partia theksoi se Prishtina nuk mund të qeveriset sipas kësaj dhe interesi i kryetarit qëndron mbi ligjin. Megjithatë, sipas LVV-së, publikimi në faqen zyrtare nuk ia largon kundërligjshmërinë një vendimi.
“Vlerësimet e ministrive kërkojnë trajtim institucional dhe përgjigje ligjore”, shton reagimi.
LVV-ja iu referua Ligjit nr. 08/L-284 për Shqyrtimin Administrativ të Akteve të Komunave, i cili përcakton qartë procedurën në këto raste. Kur konstatohet mospërputhje me ligjin, kërkohet rishqyrtimi i aktit, jo publikimi i tij.
Partia kritikoi mungesën e konsekuencave institucionale: “Në çdo rast tjetër, çfarë kuptimi ka mbikëqyrja e ligjshmërisë nëse shkeljet konstatohen, shkresat dërgohen dhe pastaj Komuna vazhdon sikur asgjë nuk ka ndodhur?”
Reagimi i Lëvizjes Vetëvendosje thekson se trajtimi si i parëndësishëm i vlerësimeve të ligjshmërisë do të thotë sfidim i autoritetit të institucioneve të Republikës.
“Autonomia komunale nuk është leje për arbitraritet dhe as nuk duhet të jetë mundësi për t’i vënë interesat personale e shoqërore mbi ligjet e shtetit”, thuhet në komunikatë.
Partia përfundoi duke theksuar se kryetari Rama ka mandat për ta qeverisur Prishtinën brenda ligjit, por nuk ka mandat t’u caktojë vetë kufijtë e ligjit.
“Prishtina është kryeqyteti i Republikës. Nuk është republika e Përparim Ramës!”, përfundon reagimi i Lëvizjes Vetëvendosje. /KosovaNews/
