TË FUNDIT

“Veriu është çështje e zgjidhur”, Bytyçi zbërthen prapaskenat e takimit Kurti–Trump – “godet” Grenellin, Vuçiqin dhe Ramën

Profesori Enver Bytyçi ka reaguar pas takimit të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, me presidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump.

Përmes një reagimi, Bytyçi ka komentuar temat që, sipas tij, janë diskutuar në takimin mes Kurtit dhe Trumpit, duke vlerësuar se kryeministri i Kosovës nuk e ka vendosur në qendër të bisedës dialogun me Serbinë apo kompromiset me Beogradin.

“E tash?!

Albin Kurti është takuar me presidentin Donald Trump! Për herë të parë. Megjithatë, Kurti nuk i ka folë kreut të Shtëpisë së Bardhë as për dialogun me Serbinë, as për kompromise me Beogradin! E dini pse? Se veriu i Kosovës është çështje e zgjidhur!”, ka shkruar Bytyçi në reagimin dërguar “Bota sot”.

Sipas tij, gjatë takimit Kurti ka kërkuar investime amerikane dhe anëtarësimin e Kosovës në NATO.

“Kurti ka kërkuar investime amerikane dhe anëtarësim të Kosovës në NATO. Dhe këto janë thelbi i marrëdhënieve SHBA-Kosovë”, ka deklaruar ai.

Mes tjerash, Bytyçi ka vlerësuar se takimi mes Kurtit dhe Trumpit sfidon disa prej figurave politike që kanë qenë të përfshira në zhvillimet rreth Kosovës dhe marrëdhënieve me SHBA-në.

“Ky takim i sfidon Grenellin, Vuçiqin, Edi Ramën dhe miqtë e tyre në Kosovë”, ka shkruar ai.

Në fund të reagimit, Bytyçi ka thënë se marrëdhëniet me SHBA-në, sipas tij, nuk varen nga pranimi i çdo kërkese.

“E shihni! Amerika të do edhe kur i thua jo! Thjesht duhet ta duash popullin dhe vendin tënd!”, ka shkruar Bytyçi.

Ai e ka përmbyllur reagimin me një koment ironik ndaj atyre që, sipas tij, kanë tentuar të sigurojnë një takim me presidentin amerikan.

“Dikush ka paguar qimet e kokës ta takojë Trumpin, por s’ka mundur ta takojë as rojen e tij!”, ka përfunduar Bytyçi.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *