TË FUNDIT

Vendimi për krerët e UÇK-së, Elezi: 16 shtatori duhet të jetë ditë dinjiteti, jo kaosi

Më 12 shtator pritet të shpallet vendimi në Hagë lidhur me rastin ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Vendimi pritet të përcillet me vëmendje të madhe në Kosovë, për shkak të rëndësisë së tij politike dhe emocionale.

Në prag të kësaj date, vëmendje e veçantë i është kushtuar edhe situatës së sigurisë, me thirrje për qetësi dhe shmangie të çdo incidenti të mundshëm. Eksperti i sigurisë, Bedri Elezi, ka kërkuar që qytetarët të jenë vigjilentë, por pa krijuar panik, ndërsa institucionet të jenë të përgatitura për çdo skenar.

“16 shtatori nuk është një ditë e zakonshme për Kosovën. Vendimi që pritet të shpallet në Hagë lidhur me udhëheqësit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka një peshë të jashtëzakonshme emocionale, politike dhe shoqërore. Për këtë arsye, edhe reagimet e qytetarëve dhe të institucioneve duhet të jenë konform kësaj veçantie.

Shqetësimet për mundësi të incidenteve apo trazirave të dhunshme nuk duhet të injorohen. Por alarmi i sigurisë nuk duhet të shndërrohet në panik qytetar. Pikërisht në ditë të tilla, shteti duhet të tregojë se është i përgatitur, funksional dhe në kontroll të situatës.

Policia e Kosovës ka struktura dhe kapacitete të organizuara në nivel të stacioneve, drejtorive rajonale dhe njësive të specializuara. Megjithatë, një ditë me këtë nivel ndjeshmërie kërkon angazhim të përforcuar, vigjilencë të shtuar, monitorim të vazhdueshëm të situatës dhe koordinim institucional në kohë reale.

Koordinimi nuk duhet të jetë vetëm brenda institucioneve të Kosovës. Në një situatë të tillë, bashkëpunimi me KFOR-in, EULEX-in, UNMIK-un dhe institucionet e tjera të sigurisë, përfshirë FSK-në në kuadër të kompetencave të saj, është i rëndësishëm për parandalimin dhe menaxhimin e çdo situate të mundshme”, tha ai.

Elezi u bën thirrje qytetarëve të ruajnë qetësinë dhe vigjilencën, duke raportuar çdo veprim të dyshimtë te institucionet.

Tutje, thekson se 16 shtatori duhet të kalojë me dinjitet dhe pa dhunë, ndërsa institucionet duhet të jenë të gatshme për çdo skenar, pavarësisht vendimit që do të merret në Hagë.

“Mesazhi im për qytetarët është i qartë: të jemi të qetë, por jo të pakujdesshëm; të jemi vigjilentë, por jo të frikësuar.

Nëse qytetarët vërejnë lëvizje, grumbullime, sjellje apo veprime të pazakonta që mund të paraqesin rrezik për sigurinë publike, duhet t’i raportojnë menjëherë Policisë së Kosovës dhe institucioneve kompetente. Siguria nuk është vetëm përgjegjësi e policisë; është përgjegjësi e të gjithë shoqërisë.

Ne duhet të jemi të gatshëm të festojmë nëse drejtësia sjell lajmin që shumë qytetarë të Kosovës e presin – lirimin e udhëheqësve të UÇK-së. Por, njëkohësisht, duhet të jemi të përgatitur edhe për çdo rezultat tjetër.

Prandaj, 16 shtatori duhet të jetë ditë e dinjitetit, jo ditë e kaosit; ditë e manifestimit të vlerave tona, jo ditë e dhunës.

Çdo provokim, çdo incident i dhunshëm dhe çdo veprim që cenon rendin kushtetues e sigurinë publike duhet të parandalohet dhe të trajtohet me vendosmërinë më të madhe institucionale.

Kosova duhet të tregojë se di të presë një vendim historik me dinjitet dhe se, pavarësisht rezultatit në Hagë, askush nuk mund ta destabilizojë Republikën e Kosovës.

Ky është momenti që institucionet të jenë një hap përpara çdo rreziku, ndërsa qytetarët një hap përpara çdo provokimi.

Qetësi. Vigjilencë. Bashkëpunim. Dhe zero tolerancë ndaj dhunës” – përfundon ai për “Bota sot”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *