POLITIKATË FUNDIT

Vendimi i Qeverisë për sanksionet ndaj Rusisë, Bytyçi: Evropa duhet ta kuptojë mesazhin e Kosovës

Vendimi i Qeverisë së Kosovës për vazhdimin dhe forcimin e sanksioneve ndaj Rusisë dhe individëve të lidhur me regjimin e Moskës po shihet si një tjetër dëshmi e orientimit të qartë euroatlantik të Kosovës.

Profesori Enver Bytyçi, në një prononcim për “Bota sot”, ka vlerësuar se Kosova ka qenë dhe vazhdon të jetë një partner i rëndësishëm dhe i besueshëm i Perëndimit, ndërsa vendimet e saj në raport me Rusinë e dallojnë qartë nga politika e Serbisë.

“Kosova ka qenë dhe është një partner i besueshëm dhe shumë i rëndësishëm i Perëndimit, Bashkimit Evropian, Shteteve të Bashkuara të Amerikës, NATO-s dhe Britanisë së Madhe. Para dy ditësh ishin në Kosovë ish-sekretari i Përgjithshëm i Aleancës Atlantike, Robertson dhe ish-ministri i Mbrojtjes së RF të Gjermanisë, Rudolph Scharping. Të dy u kujdesën të japin mesazhe se si Kosova duhet të konsolidohet si shtet dhe të mbrohet nga planet e armiqve të saj për ta rikthyer në një federatë të ideuar sërishmi jugosllave.

Vendimi i qeverisë së Kosovës i 1 shtatorit të kaluar për të vazhduar dhe forcuar sanksionet ndaj shtetit rus dhe individëve të lidhur me regjimin e Moskës është një vendim i natyrshëm. Kosova po bën atë që duhet të bëjë. Dhe kjo e bën atë të dallojë me politikat e Beogradit, i cili nuk ka pranuar të sanksionojë aleatin e saj, Rusinë e Vladimir Putinit. Sa më shumë vendime që Kosova merr në pajtim me legjislacionin dhe politikat evropiane, aq më shumë do të detyrohen në Bruksel të bëjnë diferencën me politikat serbe pro-Rusisë dhe aq më mirë lidershipi evropian do të dallojë faktin se Serbia qëndron, njëlloj si Millosheviçi, në trenin rus të Kremlinit”, ka thënë ai.

Tutje, Bytyçi ka theksuar se vendimi i 1 shtatorit është përsëritje e masave të ndërmarra nga Kosova në mars të vitit 2022, pas nisjes së agresionit rus ndaj Ukrainës.

ImageEnver BytyçiFoto galeri
Sipas tij, vendimi i fundit përcjell disa mesazhe të reja politike dhe diplomatike.

“Vendimi i 1 shtatorit ishte përsëritje e masave që Kosova ka miratuar në mars të vitit 2022, menjëherë pas agresionit të Rusisë kundër Ukrainës. Por megjithatë ky vendim ka disa mesazhe të ndryshme nga ajo kohë.

Së pari, masat e sanksioneve që do të zbatojë Kosova do të jenë më të ashpra. Që do të thotë se ajo është e vendosur për të marrë pjesë në mbrojtjen e kontinentit evropian, nëse ndodh e keqja e mundshme e një sulmi rus kundër një ose disa vendeve anëtare të BE-së ose NATO-s. Vendimi është garanci për të gjitha vendet evropiane se te qytetarët e Kosovës kanë një popull e një qeveri të gatshme të përballen me këdo që cenon integritetin territorial jo vetëm të Kosovës, por edhe të vendeve të tjera evropiane.

Së dyti, ka gjithashtu një mesazh tjetër shumë domethënës. Dihet tashmë se Serbia ka hapur disa kapituj në bisedimet për t’u bërë anëtare e BE-së. Ndërkohë që Evropa ndaj Kosovës është treguar inerte, jo e gatshme ta avancojë rrugën e saj për në BE. Madje kjo ka ndodhur në përpjekje që Evropa ta joshë Serbinë për të mos refuzuar Perëndimin. Vendimi për vazhdimin e sanksioneve kundër Rusisë në pajtim me vendimet e BE-së, duhet t’u kujtojë vendeve anëtare të BE-së se ata po injorojnë një vend si Kosova, e cila merr vendime në përputhje të plotë me interesat e saj. Injorimi i një Kosove që ekuivalenton interesat evropiane me interesat e saj, është miopi politike dhe dështim diplomatik. Ndërsa vendet evropiane dridhen para ariut rus dhe kërkojnë një aleancë të gjerë e të shëndoshë, ato po injorojnë përpjekjet e Kosovës për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian. E injorojnë madje edhe me mosnjohjen e pesë vendeve anëtare të saj”, është shprehur ai.

Më tej, Bytyçi ka folur edhe për dallimin që ekziston mes Kosovës dhe Serbisë në raport me qëndrimet ndaj Rusisë dhe krimeve të luftës.

Ai e ka lidhur vendimin për sanksionet me pritjen që Beogradi i bëri figurës së dënuar për krime lufte, Ratko Mlladiç.

“Së treti, vendimi për sanksionet kundër Rusisë i qeverisë së zotit Kurti u mor në momentin kur Beogradi priti me nderime dhe respekt kufomën e Ratko Mlladiç, gjeneralit serb të dënuar për gjenocid dhe krime kundër njerëzimit. Çfarë dallimi i madh midis Serbisë dhe Kosovës. Dhe evropianët duhet ta marrin mesazhin e qartë se Kosova nuk është Serbi në asnjë kuptim të fjalës. Është krejt tjetër nga Serbia dhe se nuk duhet të mendojë dikush në kontinent për ta rikthyer atë në një Jugosllavi të re, nëse i referohemi deklaratës së zotit Robertson.

Së katërti, duhet shpjeguar se Kosova dhe qeveria e saj janë të vetmit në Ballkanin Perëndimor që morën vendimin për vazhdimin e sanksioneve të BE-së kundër Kremlinit dhe aleatëve të tij. Nuk e ka ripërtërirë këtë vendim as Shqipëria, as Mali i Zi, as Maqedonia e Veriut. Ndërsa Serbia dhe Bosnjë-Hercegovina nuk kanë vënë fare sanksione as në momentin e agresionit të Vladimir Putinit kundër Ukrainës”, ka shtuar ai.

Një tjetër element i rëndësishëm i këtij vendimi, sipas Bytyçit, lidhet edhe me qëndrimin e Ukrainës ndaj Kosovës.

Ai e ka cilësuar si “fisnik” qëndrimin e Kosovës, duke theksuar se Prishtina nuk duhet të hakmerret ndaj Ukrainës për shkak të mosnjohjes së pavarësisë së Kosovës.

“Dhe së pesti, vendimi i qeverisë Kurti i çon një mesazh të qartë njëkohësisht presidentit të Ukrainës, Volodymyr Zelensky, pas deklaratës që ai bëri në Beograd, sipas të cilit, “Ukraina i qëndron vendimit për mosnjohjen e shtetit të Kosovës”! Mesazhi është fisnik: – Kosova nuk hakmerret, nuk është aq e vogël sa të kundërpërgjigjet me vendime që e dëmtojnë kauzën ukrainase dhe të drejtën e saj për mbrojtjen dhe respektimin e sovranitetit të saj të plotë.

Mendoj se këto mesazhe duhen dërguar në gjuhë diplomatike përmes shërbimit diplomatik, por edhe aktivitetit politik ndërkombëtar. Dikush duhet që t’ua bëjë me dije evropianëve se diku në zemër të Ballkanit është një vend kaq pro-evropian dhe pro-perëndimor sa asnjë vend tjetër i këtij rajoni. Kjo është shumë e rëndësishme. Ndërkohë duhet bërë me dije se Kosova ka potenciale shumë më të mëdha sesa e lejon proporcionaliteti demografik për të kontribuar në paqen, sigurinë dhe stabilitetin evropian”, ka përfunduar Bytyçi.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *